Edhe një aleat braktis PD-në e Bashës

Një tjetër aleat braktis koalicionin e djathtë dhe i bashkohet aleancës qeverisëse. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka firmosi këtë të hënë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Socialiste për të hyrë së bashku në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ashtu si edhe PDIU e Shpëtim Idrizit, edhe largimi i Ndokës nuk do të jetë vetëm për këto zgjedhje, por në nivel qendror.

Lajme

20/04/2015 16:48

Burime të sigurta thanë për A1 Report se vendimi i Ndokës është bërë në kushtet e një bashkëpunimi tashmë të pamundur me Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike nuk krijoi asnjë hapësirë për PDK-në në zgjedhjet lokale”, mësohet të jetë shprehur Ndoka. Duke marrë shkas nga kjo, Ndoka iu bashkua koalicionit të mazhorancës, me shpresën se mund t’i lënë zonë të lirë kandidimi në Bashkinë e Kurbinit.

Partia Demokristiane deri në zgjedhjet vendore të 2013 ishte pjesë e opozitës, ndërsa dështoi në negociatat me kryesocialistin Edi Rama, pasi ky i fundit refuzoi ta fuste Ndokën në listat e Partinë Socialiste.

Pas kësaj Nard Ndoka vendosi të bashkohej me koalicionin e mazhorancës që udhëhiqej nga Partia Demokratike.

Ky i fundit vendosi ta fusë Nard Ndokën në një pozicion fitues në listën e qarkut të Shkodrës, e pavarësisht numrit të vogël të votave që mori PDK në ato zgjedhje, Ndoka fitoi një vend në parlament.

Po edhe këtë herë pakënaqësitë për listat e ndanë Ndokën nga koalicioni djathtë, teksa Partia Demokratike nuk la zonë të lirë për të kandiduar përfaqësuesit e PDK, shkruan gazeta Shqiptarja.