Edhe një 18 vjeçar në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen e policit Lika në Kaçanik

Një aksion i gjerë i realizuar sot në Kacanik nga Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës thuhet të ketë hedhur në pah shumë detaje në lidhje me vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika, rreth një muaj më parë. Nga aksioni i sotëm raportohet të jenë arrestuar shtatë persona. Po ashtu në media tashëm është…

Lajme

21/04/2025 10:54

Një aksion i gjerë i realizuar sot në Kacanik nga Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës thuhet të ketë hedhur në pah shumë detaje në lidhje me vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika, rreth një muaj më parë.

Nga aksioni i sotëm raportohet të jenë arrestuar shtatë persona.

Po ashtu në media tashëm është dhënë si informacion se në lidhje me vrasjen e policit Lika u arrestua edhe një 18 vjeçar, që dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.

Sipas raportimit në media i dyshuari në këtë rast është 18 vjeçari R.B, që në momentin kur është vrarë Lika nuk kishte mbushur ende 18 vjeç.

Të arrestuarit dyshohet të jenë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që dyshohet se ka planifikuar dhe realizuar atentatin ndaj zyrtarit policor- këtë grup kriminal sipas informacioneve po e hetonte prej kohësh zyrtari policor tashmë i ndjerë, Muhamed Lika.

Në lidhje me hetimet e kryera deri tani dhe bastisjen e sotme, Prokuroria dhe Policia do të zhvillojnë sot një konferencë për media në Ferizaj.

Njoftimi i Policisë:

Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini.

Datë: 21.04.2025

Vendi: Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës – Ferizaj

Ora: 11:30

Ftohen mediat të marrin pjesë dhe ta përcjellin këtë ceremoni./Lajmi.net/