Edhe LDK mbështet krijimin e Gjykatës Speciale

Partia e kryeministrit Isa Mustafës, i ka dhënë përkrahje ndryshimit të neneve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Lajme

22/05/2015 17:18

Përmes një njoftimi për media LDK-ja ka njoftuar që mbështet plotësisht procesin e procedimit të kornizës legjislative që ka të bëjnë me amendamentet kushtetuese dhe Ligjin e veçantë për dhomat e specializuara.

Sipas njoftimit të LDK-së, mbështatja e këtij procesi është “në funksion të qasjes strategjike të institucioneve të Republikës së Kosovës, që konsistojnë në implementimin e standardeve dhe praktikave më të avancuara të drejtësisë ndërkombëtare, si dhe promovimin e marrëdhënieve të fuqishme me komunitetin euroatlantik, veçmas me partnerët e Kosovës, SHBA-të, si dhe Bashkimin Evropian”.

“Në lidhje me synimet tona afatgjate në proces të integrimit evropian, LDK-ja vlerëson se këto ndryshime janë në frymë të forcimit të modelit të Kosovës si vend i cili nuk heziton në përkushtimin e tij për drejtësi më të madhe vendore, si parakusht i të qenit shoqëri tolerante, paqësore, respektivisht evropiane”, thuhet më tej aty. (lajmi.net)