Edhe këtu u bëmë përrallë

Kur ne si shoqëri, ndahemi prej një politikani si ish-Kryeministri Rexhepi, do të duhej të mirremi me raportin në mes të tij dhe këtij vendi, e jo me relacionet personale të autorëve të kujtimeve dhe vetë Rexhepit.

Lajme

31/08/2017 12:00

Javën e kaluar u nda nga ne Bajram Rexhepi, Kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës pas përfundimit të luftës. Mënyra se si ne u ndamë prej tij, në masë të madhe ishte një tjetër dëshmi për gjendjen e tanishme në politikën dhe shoqërinë kosovare. Këtu, natyrisht, duhet bërë përjashtimin kur flitet për anën protokollare të shprehjes së respektit  (gjithsesi të merituar), ndaj ish-Kryeministrit Rexhepi. Gjithçka u bë si duhet dhe si i ka hije një shteti, kur i jep lamtumirën një burrshtetasi, çfarë Bajram Rexhepi ka qenë.

Nuk është hera e parë që përballemi me këtë dukuri, kur si politikanë, si autorë, si individë, tek e mbrama, nuk dimë të mirremi me vlerësimin e një politikani, një artisti, një mendimtari, i cili nuk është më me ne. Ta zëmë, në rastin e largimit të Bajram Rexhepit, mbi të gjitha, është dashtë të mbizotërojë roli i tij si Kryeministër i Kosovës në një peridhë të hershme të zhvillimit të demokracisë në Kosovë, kur ai dhe Qeveria e Kosovës kanë pasë kompetenca shumë të kufizuara për të udhëheq vendin si duhet  (për shkak që Kosova vazhdonte të jetë nën Administrimin Ndërkombëtar të UNMIK-ut).

Ka qenë kjo një periudhë shumë e rëndë, objektivisht, për te, për Presidentin Rugova dhe udhëheqësinë e atëhershme të Kosovës, sepse në pranverën e vitit 2002, kur nisën të funksionojnë institucionet tona qendrore, për herë të parë me një legjitimitet dhe legalitet të definuar qartë, ishin harxhuar të gjitha rezervat e durimit tek shqiptarët e Kosovës, kur bëhej fjalë për pritjen e definimit të statusit të Kosovës. Ishin bërë gati tri vjet nga përfundimi i luftës, Kosova kaloi dy herë me sukses testin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, institucionet lokale dhe qendrore të vendit ishin krijuar, por nuk shihej dot se si do të mund të ecej para në drejtimin kryesor, atë të definimit të statusit të Kosovës. Nuk kishte vullnet në Washington dhe në Bruksel për ta përshpejtuar dinamikën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Në Serbi ishte në pushtet Zoran Gjingjiq, një Kryeministër i preferuar nga Perëndimi  (i cili në vitin 2001 dërgoi në Tribunalin e Haës Sllobodan Millosheviqin). Mbi të gjitha, Bota kishte ndryshuar me themel, sepse busolla e orientimit amerikan dhe perëndimor ishte 9/11 (2001), apo sulmi terrorist në SHBA.

Në ato rrethana, Presidenti Rugova dhe Kryeministri Rexhepi, dhe në përgjithësi, liderët dhe partitë politike shqiptare në Kosovë, nuk kishin shumë çka tu ofronin qytetarëve të Kosovës, të cilët kishin nisur të ngopen me pritjen e definimit të statusit të Kosovës  (pavarësisë). Nuk kishte kush dyshime këtu dhe as në Botë se çka do të duhej të bëhej me Kosovën. Por, askush nuk e dinte, në viti 2002, se si mund të mbërrijë Kosova tek statusi i qartë, dhe kur mund të ndodhë që të përmbyllet ky proces. Michael Steiner, si Kryeadministratori i tretë i Kosovës, do të lansonte në atë vit Planin e tij ‘Standardet para statusit’, i cili realisht, ishte ai hapi i parë  (i domosdoshëm), që hapte udhë për adresimin e temës së statusit, qoftë edhe përmes një lidhjeje të varëshmërisë në mes të shkallës së përmbushjes së standardeve dhe kohës kur statusi do të zgjidhej  (natyrisht, dhe cilësisë së tij).

Në ato rrethana të cilat sa vinin dhe vështirësoheshin, Bajram Rexhepi si Kryeministër, si një politikan atipik shqiptar, mbi të gjitha falë karakterit të tij, falë individualitetit të tij, do të kontribojë shumë në imazhin e Qeverisë së Kosovës, dhe do të arrinte të bëhej një politikan të cilin e respektonin shumica e qytetarëve të Kosovës. Zatën, kjo do të vinte në shprehje më së shumti në trazirat e marsit të vitit 2004, të cilat vetëm sa konfirmuan që këndjepari më nuk ka fare durim për të pritur zgjidhjen e kryeçështjes së Kosovës, statusit të saj.

Në rastet pra si ky kur ne si politikë, si shoqëri, ndahemi prej një politikani çfarë ka qenë ish-Kryeministri Rexhepi, do të duhej të mirremi me raportin që ka ekzistuar në mes të tij dhe këtij vendi, e jo me relacionet personale të autorëve të kujtimeve/ mekrologëve të shumtë, dhe vetë Bajram Rexhepit. Në shumicën dërrmuese të tyre, u shfaq kjo tendenca edhe ashtu dominuese ndër ne për vetë-promovim, për protagonizëm me çdo kusht, për qërim të hesapeve ditore politike, duke përdorë edhe emrin dhe veprën e Rexhepit.

Edhe kësaj radhe pra, u bëmë përrallë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)