Edhe Irani kundër ISIS, armatosi i pari kurdët e Irakut

Liderët kurdë kanë thënë se Irani i ka furnizuar me armatim dhe municion forcat kurde të Irakut për të luftuar kundër militantëve të ISIS.

Bota

26/08/2014 17:27

Masud Barzani, presidenti i rajonit gjysmë autonom të Kurdistanit, ka bërë këtë deklaratë gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Mohamad Xhavad Zarif, i cili e ka vizituar sot rajonin irakian të Kurdistanit, transmeton REL.

Barzani iu ka thënë reporterëve në kryeqytetin kurd, Irbil: “Ne kemi kërkuar armatim dhe Irani është shteti i parë që na ka dhënë armatim neve”.

Kryediplomati iranian ka thënë se Irani nuk ka trupa në Irak, por është duke e ndihmuar Bagdadin dhe kurdët me “mjete të tjera”. 

Mediet iraniane e kanë cituar dje ministrin e Brendshëm, i cili ka thënë se Teherani së fundi ka ofruar ndihmë për forcat kurde të Irakut pasi zyrtarët kurdë kanë kërkuar përkrahje.

Forcat kurde janë duke u përleshur me militantët e ISIS, të cilët kanë marrë nën kontroll disa zona në periferi të rajonit të Kurdistanit.