Edhe EULEX ndihmë Serbisë, i dërgon helikopter nga Kosova

Misioni evropian për rend dhe ligj në Kosovë, EULEX do të dërgojë në Serbi një helikopter, për t’i ndihmuar asaj që t’i përballojë gjendjen e jashtëzakonshme shkaktuar nga vërshimet. 

Lajme

18/05/2014 00:39

Helikopteri do të aterojë në aeroportin e Suriçinës nesër në orën 9 të mëngjesit, ka thënë për mediat serbe, zëdhënësja e EULEX-it Dragana Nikoliq Solomon. 

Popullsia në Serbinë qendrore, e cila u godit nga përmbytjet, nesër do të pranojë edhe ndihmat tjera të dërguara nga EULEX-i, ka bërë të ditur Solomon. 

Kamionët e EULEX-it, që transportojnë ndihma humanitare të destinuara për vendet e prekura nga vërshimet, nga Kosova do të arrijnë në qendrën e Kryqit të Kuq në Mladenovc të Serbisë, rreth orës 9 e 15 minuta, ka shtuar ajo.