Edhe dy muaj paraburgim ndaj 19-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij në Vushtrri
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda ia ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit B.D., i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij A.Z., më 23 mars në Vushtrri. Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” udhëheqësës së Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media e Gjykatës Themelore…

Lajme
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda ia ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit B.D., i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij A.Z., më 23 mars në Vushtrri.
Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” udhëheqësës së Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media e Gjykatës Themelore në Mitovicë, Hateme Haxhaj-Haziri.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për vazhdim të masës së paraburgimit, të datës 17.04.2025, duke nxjerr Aktvendim me datë 18.04.2025, me të cilin e ka vazhduar masën e paraburgimit, në lëndën penale kundër të pandehurit B.D., me dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale: Vrasje e rendë sipas nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK -së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigje.
Sipas aktvendimit të 18 prillit, masa e paraburgimit, të pandehurit B.D., i është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muajsh, e cila llogaritet nga data 23 prill 2025 deri më 23 qershor 2025.
Ndryshe, Policia kishte konfirmuar se viktima ishte dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku edhe u konstatua vdekja e tij.
“Nga hetimet e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës A. Z., 19 vjeçar. Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë ku nga autoritetet spitalore është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë. Me urdhër te Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion. Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja”, thuhej në njoftim.