Edhe BE ka faj për gjendjen në Maqedoni
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sonte gjatë darkës së punës për gjendjen në Maqedoni në dritë të acarimit të situatës atje, sidomos pas konfliktit në Kumanovë.

Lajme
Edhe para nisjes së debatit joformal, shumë ministra tashmë kanë shprehur shqetësimin me gjendjen që po mbizotëron në vend, raporton RTK.
Ca zyrtarë evropian cituan komisarin e ngarkuar më çështje zgjerimi, Johanes Hahn i cili ua ka tërhequr vëmendjen vendeve anëtare se edhe Bashkimi Evropian duhet të bartë një pjesë të përgjegjësisë për situatën e krijuar në Maqedoni meqë ky vend është lënë anash për shkak të bllokadës që i bën Greqia, me çfarë nuk kanë mundur të lëvizin gjërat në mes të Brukselit dhe Shkupit zyrtar.
Më qëndrim të ngjashëm doli edhe ministri i jashtëm austriak, Sebastian Kurz. Ai para gazetarëve ka deklaruar se ajo çfarë po ndodh në Maqedoni është edhe një dëshmi se mungesa e perspektivës evropiane aspak nuk po i ndihmon rrethanave në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë debatit ka marrë pjesë edhe Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s. (RTK)