Edhe Apeli refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj. Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars…

Lajme

16/10/2024 16:44

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.

Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes esenciale të dispozitave të procedures penale.

Keqekolla-Sadiku kishte propozuar që Apeli të ndryshojë aktvendimin e Themelores dhe ta hedh të pabazuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar që ankesa e mbrojtjes së Gërvallës të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Andaj, Gjykata e Apelit në vendimin e siguruar nga Betimi për Drejtësi”, i cili është përpiluar më 10 tetor 2024, gjeti se ankesa e mbrojtjes nuk është e bazuar.

Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, përmes ankesës pretendoi se kemi të bëjmë me një akuzë të paligjshme, pasi nuk është përmbushur elementi kryesor i veprës penale – përfitimi material, pra rritja e pasurisë në mënyrë të paligjshme.

Sipas saj, pasuria e deklaruar në mënyrë të gabueshme, ishte fituar në mënyrë të ligjshme dhe nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur atë pasuri, por që sipas saj nuk e kishte deklaruar saktë për shkak të pakujdesisë.

Në ankesë, po ashtu mbrojtja ka shtuar se nga provat tregohet se të ardhurat e bashkëshortit të të akuzuarës nuk kanë ndryshuar as nga koha pas raportimit e as kur ishte raportuar, pra nuk kishte rritje të pasurisë paligjshëm.

Kurse, për raportimin e pronës së paluajtshme në pronësi të saj, thuhet se formularit nuk ia kishte bashkëngjitur fletën poseduese për shkak të mosnjohurisë duke marrë për bazë se ishte pozita e saj e parë publike dhe të gjitha të dhënat kur e plotësoi formularin i kishte marrë nga bashkëfshatari i saj. Por, që të gjitha të dhënat që i kishte poseduar i kishte paraqitur gjatë plotësimit të formularit.

Në deklarimin e të akuzuarës, mbrojtja thotë se nuk kishte pasur asnjë çmim për të ulur vlerën reale, por që gjithçka ishte neglizhencë dhe se më pas kishte marrë veprime për ta rregulluar këtë situatë.

Po ashtu, mbrojtja pretendon se Prokuroria në aktakuzë nuk ka përcaktuar qëllimin e të akuzuarës për mosdeklarimin e pasurisë, nëse e bëri me dashje dhe se këtë pasuri a e kishte fituar në mënyrë të ligjshme apo jo.

Mbrojtja pretendoi se vendimi i shkallës së parë, ishte i përfshirë në shkelje të Ligjit Penal në dëm të të akuzuarës. Sipas mbrojtjes, veprimet e Gërvallës paraqesin përgjegjësi të kundërvajtjes dhe asesi të veprës penale.

“Pra, në aspektin penal nuk mund të kenë të njëjtin status (dënimi i njëjtë) si pasuria e ligjshme si ajo e paligjshme e pa deklaruar”, citohet në vendim ankesa e mbrojtjes.

Apeli vlerëson se pretendimet ankimore të avokates Keqekolla-Sadiku nuk janë të bazuara dhe se aktvendimi i Themelores me të cilin është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është i bazuar, i drejtë dhe i ligjshëm.

Kolegji i Apelit thekson se vendimi i shkallës së parë nuk përmban shklelje për të cilat pretendohet në ankesë, e as shkelje të tjera për të cilat kjo Gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“…sipas vlerësimit të kësaj gjykate, aktvendimi i ankimuar është i qartë dhe konkret, arsyetimi i tij është në përputhje të plotë me dispozitivin”, thuhet në vendimin e Apelit.