E tmerrshme: Qytetarët ankohen se po presin me orë të përë për pasaporta dhe letërnjoftime

Pritjet e qytetarëve për të marrë shërbime në Agjencinë e Regjistrimit Civil, qoftë për t’u pajisur me pasaporta, letërnjoftim apo shërbime të tjera, shkojnë deri në 3 orë. Duke folur për tollovinë e krijuar, ata u ankuan për pritjet e gjata për t’i tërhequr dokumentet. Ndërkaq, nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) thonë se shkaktar…

Lajme

10/05/2024 19:09

Pritjet e qytetarëve për të marrë shërbime në Agjencinë e Regjistrimit Civil, qoftë për t’u pajisur me pasaporta, letërnjoftim apo shërbime të tjera, shkojnë deri në 3 orë.

Duke folur për tollovinë e krijuar, ata u ankuan për pritjet e gjata për t’i tërhequr dokumentet.

Ndërkaq, nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) thonë se shkaktar kryesor i kësaj tollovie është rritja e kërkesave të qytetarëve për pajisje me dokumente, pas prodhimit të tyre.

Qytetari Resul Kamberi për KosovaPress tregoi se ka pritur nga ora 12:00 deri pas orës 15:00 për të marrë shërbime në ARC.

Edhe qytetarja, Miradije Rafuna thotë se ka pritur rreth 2 orë për të aplikuar për marrjen e letërnjoftimit.

Sipas saj, procesi ishte i ngadalshëm, për çka u shpreh se “ka për të bërë edhe punë të tjera”, por që pritja e gjatë po e pengon.

Edhe Naim Gashi tregoi se kur mori radhën, rreth 200 persona ishin para tij, që po prisnin rendin për të marrë shërbime.

Ai tregoi se në Agjencinë e Regjistrimit Civil kishte ardhur për ta tërhequr pasaportën e tij dhe të djalit.

Ndërkaq, lidhur me këto pritje, për KosovaPress ka folur shefi ekzekutiv i Agjencisë Për regjistrim Civil, Blerim Camaj.

Camaj tha se pas prodhimit të dokumenteve për qytetarët, është rritur numri i tyre që vijnë për t’i tërhequr ato dhe si shkak i kësaj ka fluks më të madh të tyre.

Arsye për këtë tollovi, Camaj përmend faktin se qytetarëve iu është mundësuar që të aplikojnë për shërbime kudo nëpër qendrat e Kosovës dhe se pothuajse të gjithë ata që jetojnë në Prishtinë po kërkojnë shërbime në këtë qendër.

Numri i të interesuarve për tu pajisur me pasaporta dhe dokumente të tjera është rritur dukshëm pas liberalizmit të vizave në Kosovë, që nga janari i këtij viti.