E rëndë në Suharekë: Vdes tragjikisht i riu pasi u godit nga rrufeja

Një 26-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit nga rrufeja në një zonë malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, në komunën e Suharekës. Rastin e ka konfirmuar për Lajmi.net zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. “Sot, më datën 01.07.2026, rreth orës 17:23, Emergjenca e Suharekës ka njoftuar Policinë se…

Lajme

01/07/2026 20:48

Një 26-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit nga rrufeja në një zonë malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, në komunën e Suharekës.

Rastin e ka konfirmuar për Lajmi.net zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më datën 01.07.2026, rreth orës 17:23, Emergjenca e Suharekës ka njoftuar Policinë se afër vendit të quajtur ‘Guri i Dellocit’, në zonën malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, dyshohej se një person ishte goditur nga rrufeja dhe, sipas informatave fillestare, ishte pa shenja jete”, tha Bytyqi.

Ai bëri të ditur se menjëherë pas njoftimit, patrulla policore dhe hetuesit janë nisur drejt vendit të ngjarjes, por për shkak të terrenit të vështirë malor, qasja ka qenë e vështirë.

“Në vendin e ngjarjes, ekipi mjekësor i Emergjencës së Suharekës ka konstatuar vdekjen e viktimës, F.B., mashkull rreth 26 vjeç”, deklaroi Bytyqi.

Sipas tij, për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, ndërsa hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Lajmi.net/