E rëndë në Dukagjin: Dy të vrarët janë babë e bir – një tjetër i plagosur

Një vrasje e dyfishtë raportohet të ketë ndodhur në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ku dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur . Policia e Shkodrës është njoftuar për rastin përmes një telefonate dhe në zonë janë nisur grupet e emergjencës për të verifikuar informacionin dhe për të zbardhur…

Lajme

23/08/2026 18:18

Një vrasje e dyfishtë raportohet të ketë ndodhur në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ku dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur .

Policia e Shkodrës është njoftuar për rastin përmes një telefonate dhe në zonë janë nisur grupet e emergjencës për të verifikuar informacionin dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Situata është e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor, ndërsa zona ndodhet disa orë larg qytetit të Shkodrës.

Në disa pjesë të Dukagjinit mungon edhe sinjali telefonik, duke e bërë më të komplikuar komunikimin dhe ndërhyrjen e shërbimeve.

Pritet që autoritetet të japin një njoftim zyrtar në vijim, ku të sqarohen rrethanat e ngjarjes, identitetet e personave të përfshirë dhe gjendja e të plagosurit

“Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, si dhe është plagosur rëndë shtetasi A. P”.

“Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, ka njoftuar policia./A2Cnn