E reja me sindromën down thyen paragjykimet, pas përvojave në sektorë të ndryshëm punësohet edhe në çerdhe

Fëmijët e moshave 3-4 vjeçare  tashmë kanë pak njohuri për personat me Sindromën Down. Ata që tani po mësohen që shoqëria është e përbërë nga llojllojshmëria, e se njerëzit mund të kenë ndryshime, por që të gjithë mund të funksionojnë bashkë.

Lajme

21/03/2021 19:24

Doruntina Luma, me sindromën down, tashmë do të jetë pjesë e stafit të Qendrës “Shega”. Me përvojë pune në kompani të ndryshme, Tina i ka hyrë një fushe të re, duke qenë pjesë e administratës së kësaj qendre, raporton lajmi.net.

Dashurinë, gatishmërinë për punë, vullnetin dhe përshtatjen e shpejtë më të tjerët i shpreh që në takimin e parë me kolegët dhe fëmijët.

Para se të fillojë t’i kryej detyrat e para në vendin e ri të punës, Tina ka vendosur që njohjen me fëmijët ta ketë më të ëmbël, duke u sjell ëmbëlsira që ka përgatitur për ta.

Dy herë në javë ajo do të jetë këtu për të kryer punët  administrative, si ndihmëse e koordinatores së qendrës.

Për kolegët, Tina tashmë është pjesë e rëndësishme e stafit.

“ Unë jam shumë e lumtur që Tina ka me qenë pjesë e Qendrës “Shega”dhe shumë e lumtur që kam me nda tavolinën edhe kemi me punu së bashku. Edhe pse vetëm dy herë në javë, po besoj që ka me qenë shumë ndihmesë e madhe për mua, ashtu edhe për Tinën. Me pas Tinën afër është emocionuese sepse ajo të jep shumë energji. Edhe për mua, po edhe për fëmijët ka me qenë kënaqësi shumë  e madhe me pas Tinën këtu…Unë besoj dhe shpresoj që Tina pasi të përfundojë punën në Qendrën “Shega”ka me qenë e fat dhe e gatshme me bë çfarëdo pune administrative në çfarëdo vendi tjetër të punës”, ka thënë koordinatorja e qendrës, Albulena Rexhepi.

Punësimi i Tinës është bërë në periudhë të veçantë për perosnat me sindromwn down. Në këtë mënyrë edhe për të shënuar 21 marsin, Ditën Botërore të Sindromit Down. Drejtoresha e qendrës “Shega”shprehet se me punësimin e personave me sindromwn down bëhet edhe vetëdijesimi i shoqërisë.

“ Jemi shumë të lumtur me pas Tinën në mesin tonë. Ne kemi dashtë me shënu Ditën Botërore të Donë Sindromit duke i’u ofru mundësi një personi nga ky komunitet. Si qendër kemi qenë shumë të hapur me pas mundësi me i përfshi të gjithë. Ne si qendër gjithmonë kemi qenë të hapur për të gjithë fëmijët, duke mos përjashtuar në asnjë mënyrë asnjë fëmijë. Në këtë rast, që të bëhet vetëdijesim i komunitetit për fëmijët me nevoja të veçanta, kemi mendu që punësimi i një personi në mesin tonë  kishte me qenë mënyra më e mirë, më adekuate për me arritë këtë. Dëshirojmë me kriju një kulturë që të gjithë janë të mirëpritur dhe të dashur. Duke fillu prej moshave të hershme, nëse i prezantojmë, i njohin, e shohim dashurinë  e tyre të madhe, në këtë mënyrë kanë me u vetëdijesu dhe në të ardhmen nuk ka me qenë temë tabu apo më pak e zakonshme, siç edhe kemi parë që hala në mesin e  shoqërisë tonë ka moment të tilla”, ka thënë Brikena Krasniqi, drejtoreshë e qendrës.

Mirëpo, fatkeqësisht jo të gjithë personat me sindromën down kanë fatin e Tinës, që të jenë të punësuar. Deri më tani vetëm 12 prej tyre janë të punësuar, 11 në sektorin privat dhe vetëm një në atë publik. /Lajmi.net/