“E pakalueshme”, shembet një rrugë në Veternik gjatë punimeve të një kompanie ndërtimore
Një rrugë është shembur në Veternik, përkatësisht “Richard Hoolbroke” në kryeqytet si pasojë e punimeve të një kompanie ndërtimore që po ndërton një objekt në këtë zonë. Para rreth një muaji, gjatë zhvillimit të punimeve, ka ndodhur shembja e parë e dheut, ku bashkë me të është dëmtuar edhe rruga publike, duke e bërë atë…
Lajme
Një rrugë është shembur në Veternik, përkatësisht “Richard Hoolbroke” në kryeqytet si pasojë e punimeve të një kompanie ndërtimore që po ndërton një objekt në këtë zonë.
Para rreth një muaji, gjatë zhvillimit të punimeve, ka ndodhur shembja e parë e dheut, ku bashkë me të është dëmtuar edhe rruga publike, duke e bërë atë të pakalueshme për qytetarët të asnjë pjese.
Një banor i kësaj lagjeje, ka dërguar fotografi dhe video në Kosovapress, përmes të cilave tregon se problemi ka nisur që nga momenti i shembjes së dheut, rreth një muaj më parë, dhe se që nga ajo kohë rruga vazhdon të jetë e pamundur për lëvizje, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët dhe për qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë.
Pas informatave të pranuara nga qytetari, kp ka kontaktuar Komunën e Prishtinës, respektivisht Drejtorin e Inspektoratit, Florian Dushi, i cili ka deklaruar për KosovaPress se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë rast.
“Nuk kam informacione”, kështu është përgjigjur shkurt Dushi.
Sipas qytetarit, kompania që ka shkaktuar dëmtimin e rrugës publike është “Trio Construction”, e cila po realizon punimet ndërtimore pranë kësaj rruge.
KP ka kontaktuar edhe këtë kompani, nga e cila kanë deklaruar se rruga është duke u rregulluar dhe se nga dita e hënë pritet të jetë në funksion.
Megjithatë, aktualisht kjo rrugë vazhdon të jetë e pakalueshme për qytetarët, ndërsa problemi, sipas banorëve, po zgjat tash e një muaj pa ndonjë zgjidhje konkrete në teren.