E mbështeti VV-në në kohën e zgjedhjeve, MKRS e “shpërblen” me 20 mijë euro Adelina Ismailin

Këngëtarja kosovare Adelina Ismaili është përfituesja e radhës e 20 mijë eurove nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Në grantin, i destinuar për projekt-propozime të individëve në fushën e artit, i cili është aprovuar më 1 gusht të këtij viti, figuron edhe emri i këngëtares adelina Ismajlit, e cila ka përfituar plot 20 mijë…

Lajme

04/08/2025 14:56

Këngëtarja kosovare Adelina Ismaili është përfituesja e radhës e 20 mijë eurove nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Në grantin, i destinuar për projekt-propozime të individëve në fushën e artit, i cili është aprovuar më 1 gusht të këtij viti, figuron edhe emri i këngëtares adelina Ismajlit, e cila ka përfituar plot 20 mijë euro, para të ardhura nga taksapaguesit.

Nga 200 persona që kanë përfituar mbështetje, Adelina Ismajli ka përfituar shumën më të madhe nga MKRS.

Ismaili është përkrahur financiarisht për mini-albumin e fundit të saj. “Grua”, që doli në publik një muaj më parë, është një mini-album apo “Extended Play” – që në zhargonin e muzikës dhe përkthyer në gjuhën shqipe i bie të jetë një album i shkurtuar.

Mini-albumi, përmban pesë këngë me motive feministe.

Me publikimin e projektit muajin e kaluar, këngëtarja e cilësoi projektin një dedikim për “ato që filluan revolucionin e fundit në Kosovë: gratë dhe vajzat që guxojnë t’i thonë STOP dhunës”.

Adelina Ismajli në zgjedhjet e 9 shkurtit ka mbështetur publikisht Lëvizjen Vetëvendosje, parti nga e cila vjen edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Për shumëkënd, për karrierën e saj dhe veprimtarinë artistike në vitet 90′ dhe sidomos në fillim vitet 2000′, Adelina Ismaili konsiderohet ‘diva’ e muzikës shqiptare.

Por, jashtë skenës ajo ka kultivuar imazhin e një figure kontraverse. Në pothuajse tash e dy dekada, emri i saj është përmendur shpesh në gjykimin shumë-vjeçar të mafiozit nga Prishtina, Enver Sekiraqa, shkruan Paparaci.

Sekiraqa, ish i dashuri i saj, është një gangster që po vazhdon të gjykohet për vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2006. Këngëtarja ndodhej në lidhje me Sekiraqën në vitin 2004, bazuar në një dosje të Prokurorisë së EULEX-it të publikuar në media disa vjet më parë.

Në dokumentarin ‘Zona Express’, të realizuar nga Gazeta Express dhe të publikuar më 2016, ishte publikuar edhe një fotografi – e vetmja ndonjëherë – që e shfaqte këngëtaren në shoqërinë e Sekiraqës.

Emri i Ismailit është lidhur gjithmonë ngushtë edhe me politikën. Nga përkrahja e verbër për Ibrahim Rugovën dhe LDK-në para dhe paslufte, këngëtarja i doli haptar në mbështetje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.

Në një video-spot përkrahës për Vetëvendosjen pak para zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, Ismaili i ftoi gratë dhe vajzat që të “votojnë me zemër”, një sllogan zgjedhor i Vetëvendosjes së Kurtit tash e disa palë zgjedhje.

“Të dashura nëna, motra, gjyshe, zonja, zonjusha, të gjitha ne të gjithë së bukur në Kosovën tonë të dashur. Ju lutem, dilni dhe votoni! Ardhmëria jonë varet nga vota jonë. Voto me zemër!”, thotë ajo në një video-spot të publikuar gjatë fushatës.

Në mars të vitit të kaluar, Ismaili e intervistoi aktorin Enver Petrovci në një emision televiziv që mbante autorësinë e saj, dhe që ngjalli një debat të madh publik për shkak të komenteve të aktorit për figurat e luftës.

Aktori Petrovci i tha Ismailit se ish-udhëheqësit e shtetit, disa prej të cilëve po mbahen në Hagë qe gati pesë vjet, kishin ardhur rastësisht në shprehje. Petrovci i tha asaj se “lufta i ka bërë këta”.

Pavarësisht prej kritikave të ashpra që mori për komentet kundër liderëve të luftës, Ismaili – njësoj sikurse kryeministri Albin Kurti – i doli në mbrojtje Petrovcit dhe u përpoq të arsyetonte deklarimet e tij për krerët e UÇK-së.