E mbante të mbyllur në shtëpi ish-gruan e dy fëmijët, arrestohet shqiptari në Itali
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin italian të Gubbios, ku një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët gjatë natës së kaluar, nën akuzën se kishte mbajtur të mbyllur në banesë ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar ndaj tyre edhe dhunë fizike. Operacioni u realizua në bashkëpunim…

Lajme
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin italian të Gubbios, ku një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët gjatë natës së kaluar, nën akuzën se kishte mbajtur të mbyllur në banesë ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar ndaj tyre edhe dhunë fizike.
Operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Peruxhias dhe nisi falë një sinjalizimi të ardhur nga autoritetet shqiptare përmes rrjeteve konsullore.
Ato kishin marrë informacione se një shtetas shqiptar po i mbante me forcë ish-gruan dhe fëmijët e tij në territorin italian.
Pas kontaktit me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë në Romë, mëngjesin e së premtes u lëshua një plan kërkimi i menjëhershëm nga Kompania e Karabinierëve në Gubbio, përfshirë patrulla, verifikime të menjëhershme dhe mjete teknike për të lokalizuar autorin dhe viktimat.
Vetëm një orë më pas, forcat e rendit arritën të ndalonin një automjet që drejtohej nga 53-vjeçari, brenda të cilit ndodheshin ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, në një gjendje të dukshme shqetësimi.
Menjëherë sapo panë karabinierët, gruaja dhe njëri prej fëmijëve kërkuan ndihmë, duke konfirmuar dyshimet e para dhe duke përfunduar operacionin me sukses.
Nga rindërtimi i ngjarjes rezulton se burri e kishte mashtruar ish-bashkëshorten që të vinte në Itali më 30 korrik së bashku me fëmijët, por pasi ata mbërritën, ua kishte marrë pasaportat dhe celularët për t’i ndaluar të largoheshin.
Gjatë ditëve të qëndrimit të detyruar, ai kishte ushtruar edhe dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.
Pas ndalimit të autorit, karabinierët vendosën nën mbrojtje nënën dhe dy fëmijët në një strukturë të sigurt. Ndërsa për burrin, përveç akuzës për privim të paligjshëm të lirisë dhe dhunë në familje, rëndon edhe akuza për mbajtje të paligjshme të një thike. Ai është dërguar në burgun e Peruxhias me urdhër të prokurorit të çështjes.