E mbajta premtimin

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se vuajtja e ish-te burgosurve politikë dhe familjeve të tyre nga Jugosllavia dhe më vonë nga Serbia ishte jashtëzakonisht e rëndë. Ai thotë se ndihet krenar e i kënaqur që po realizon premtimin për kompenzimin e tyre.

Lajme

29/12/2013 15:08

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se ndihet i kënaqur dhe krenar që Qeveria e Kosovës arriti të fillojë kompensimin financiar për të gjithë ish-të burgosurit politikë, që nga pas Lufta e Dytë Botërore, deri te lirimi i të burgosurit të fundit politik.

Kryeministri Thaçi ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se vuajtja e ish-te burgosurve politikë dhe familjeve të tyre nga Jugosllavia dhe më vonë nga Serbia ishte jashtëzakonisht e rëndë.

“Sakrifica e tyre ishte burim i inspirimit për gjenerata të tëra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Kompensimi financiar do të jetë 16,70 euro për një ditë të mbajtur në burg”.

“Kompensimi do të realizohet brenda 5 viteve.Shuma totale do të jetë 55 milion euro”.

“Si mik dhe bashkëluftëtar juaji jam i vetëdijshëm që nuk ka para që mund të paguajë vuajtjen çnjerëzore, të ushtruar ndaj jush nga Beogradi”.

“Kontributi dhe sakrifica juaj është vetë pavarësia e Kosovës”.

“Ju uroj gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja”.

“Shteti i Kosovës çmon dhe vlerëson sakrificën tuaj”.

“Ju kisha premtuar, dhe ndihem krenar që e realizuam premtimin”.

Pas vendimit të Qeverisë për kompenzimin e kësaj shtrese të shoqërisë, ish i burgosuri politik, tani Kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë e tij që mjetet që i takojnë atij si ish i burgosur politik, t’i dhurojë për financimin e studimeve të fëmijëve talentë të familjeve të varfra.

Ky propozimin është mirëpritur edhe nga Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni si dhe nga veprimtari i njohur i çështje kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka kaluar 28 vjet në burgjet serbe.