E lehtësova takimin Thaçi- Mustafa- Haradinaj

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Blomeyer, tha se shteti i tij është pro vazhdimit edhe për një mandat për vendet e rezervuara. Ai po ashtu tha se EULEX duhet të qëndrojë në Kosovë. Sepse, sipas tij, Gjermania e do një Kosovë të suksesshme.

Lajme

15/01/2014 13:51

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, tha sot se Gjermania e do një Kosovë të suksesshme, andaj shteti i tij ka treguar interes për Kosovën.

Gjatë një prezantimi të një studimi për rolin e  politikës së jashtme Gjermanisë karshi Kosovës, diplomati gjerman u shpreh se për Berlinin është e rëndësishme që Kosova të korrespondojë me vlerat evropiane si e vetmja mënyrë, sipas tij, për t’i tejkaluar ngjarjet e tmerrshme të së kaluarës.

“Kosova është speciale për Gjermaninë”.

“Që kur se Gjermania vendosi që të marrë pjesë në intervenimin humanitar në Kosovë, dëshironte që ky vendim të justifikohej. Dhe kjo bëhej e mundur vetëm nëse Kosova do të bëhej e suksesshme”.

“Por cila është Kosova e suksesshme në mendjen e gjermanëve? Është Kosova e cila korrespondon me vlerat evropiane, të cilat janë vërtetuar të jenë e vetmja mënyrë për të tejkaluar ngjarjet e tmerrshme të së kaluarës. Këto vlera janë paqja dhe pajtimi, demokracia dhe sundimi i ligjit”.

“Kjo është ajo çfarë Gjermania dëshiron nga Kosova”.

Ambasadori Blomeyer foli për takimin e djeshëm të krerëve politikë, ku ishte diskutuar reforma zgjedhore.

Ai tregoi se Gjermania mbështet vazhdimin edhe për një mandat tjetër për vendet e rezervuara dhe kjo gjë, sipas tij, do të bëhej për hir të integrimit të veriut.

“Akoma është një bllokadë e madhe në reformën zgjedhore ku është në pyetje vendet e rezervuara për minoritetet a do të duhet të vazhdohen”.

“Gjermania dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka qëndrim që mandati të zgjatet edhe për një mandat sepse kjo gjë do të duhej të shihej nga konteksti i integrimit të veriut”.

“Shikuar situatën e krijuar, me integrimin e veriut, ne besojmë fuqishëm se është mirë që të jemi bujar, të ju japim edhe një mandat”.

“Sa për takimin e djeshëm ai ishte një lloj takimi i ideve dhe unë e lehtësova atë. Ne po mundohemi që të tejkalohet ngërçi për reformën zgjedhore”.

“Ne si vëzhgues ndërkombëtarë e shohim reformën si shumë të rëndësishme, e cila do të ndihmonte sistemin zgjedhor e cila parandalon vjedhjen e votave”.

“Reforma zgjedhore duhet të bëhet shumë shpejt. Në këtë kontest duhet afat kohor siç e përcakton edhe Komisioni i Venedikut, ku së paku 6 muaj prej bërjes së reformës dhe hyrjes në zgjedhje”.

Duke folur për mandatin e EULEX’it, Peter Blomeyer tha se është në interes të Kosovës që EULEX të qëndrojë këtu.

“Mendimi im personal është se vazhdimi i misionit të EULEX’it ose të ndonjë misioni që do të vazhdonte punën e EULEX’it, është në interes të Kosovës”.

“Për mua është e pashpjegueshme se si disa njerëz po kërkojnë që ky mision të shkojë”.

“Ne kemi shumë ekspertë në EULEX dhe ata më kanë thënë mua se institucionet e Kosovës nuk janë akoma gati që t’i marrin përgjegjësitë”.

“Këshilla ime është që t’i zgjatet mandati këtij misioni derisa të ndërtohen kapacitetet e duhura dhe pastaj të reduktohet numri i misionit. Besoj se diskutimi duhet të jetë në këtë drejtim”.

Ambasadori Blomeyer tha se ideja për të ndërprerë dialogun me Serbinë mund të jetë një gabim fatal.

“Këto ditë ju mund të lexoni nëpër gazetat në Kosovë se dialogu ka dështuar, marrëveshjet nuk po implementohen si duhet. Ky është një gabim fatal”.

“Që ta bëj të qartë, politika e jashtme gjermane mbështet dialogun në të gjitha nivelet”.

Ambasadori gjerman tha se ëndrrës për një Shqipëri të Madhe, qytetarët e Kosovës duhet t’i thonë “JO”. Ai tha se vizioni europian për Kosovën është Kosova një shtëpi për të gjithë etnitë që jetojnë në të.

“Ëndrrat për një Shqipëri të Madhe duhet të jenë pjesë e së kaluarës sikurse ëndrrat për një bashkim me Serbinë. Irredentistët, iluzionarët e patën katandisur Evropën në një luftë të tmerrshme, në shekullin e kaluar. Le t’i heqim qafe ata një herë e mirë”.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës do të duhet t’i thonë JO, dhe për më tepër ata duhet të drejtohen nga Kosova sepse aty është e ardhmja. Koncepti i Kosovës si një shtëpi për të gjithë etnitë që jetojnë në të në paqe dhe pa frikë, dhe duke mbyllur dyert e së kaluarës, është vizioni europian e cila meriton dedikimin e qytetarëve të saj. Një shtet në të cilin qytetarët do të jenë krenarë”.

Ndërkaq, Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë jo domosdoshmërish do të thotë që Serbia duhet të kërkojë falje. Por ai tha se pa një kërkim falje nuk mund të ketë pajtim total.

“Natyrisht pa një kërkim falje të sinqertë është i pamundur të flasim për pajtim total. Ne e dimë që Willy Brandt është përkulur për viktimat e veta, kurse një përkulje të tillë nuk e kemi parë ende nga ana e Serbisë”.

“Normalizimi nuk do të thotë se kërkon pajtim. Normalizimi është të shkojmë përpara pavarësisht sfidave, që thjesht të mos ngecim në vend”, tha Petrit Selimi.

Raporti i prezantuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tregon kontributin e politikës së jashtme të Gjermanisë karshi Kosovës.

“Gjermania është vendi i tretë që dërgon më shumë ndihma financiare në Kosovë. Njëkohësisht ky shtet renditet i dyti pas Maqedonisë sa i përket tregtisë me Kosovën”.

“Gjermania është vendi që mbështet dialogun dhe po ashtu vet  Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar që të hiqen strukturat paralele”, thuhet në raportin e GSJK’së.