Prokuroria cakton 48 orë paraburgim për personin që sulmoi Alaudin Hamitin një muaj më parë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet L.B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kanosjes”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, personi dyshohet se ka kanosur gazetarin dhe moderatorin e Big Brother VIP Kosova, Alaudin Hamiti, për shkak të ushtrimit…

Lajme

19/03/2026 13:01

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet L.B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kanosjes”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, personi dyshohet se ka kanosur gazetarin dhe moderatorin e Big Brother VIP Kosova, Alaudin Hamiti, për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Prokurori i shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurën penale, dhe brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e ndonjë prej masave ndaj tij,” thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e gazetarëve dhe respektimin e lirisë së shprehjes. “Prokuroria garanton sigurinë e plotë për gazetarët dhe angazhohet në mbrojtjen e tyre,” shtohet më tej.

Ngjarja ka ndodhur më 20 shkurt në Prishtinë, ku Hamiti është sulmuar fizikisht. Nga pamjet e publikuara shihet teksa sulmohet nga një person, ndërsa rrethanat e ngjarjes dhe motivi ende nuk janë bërë të qarta. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar identitetin dhe përgjegjësinë e të dyshuarit. /Lajmi,net/