E goditi me grushte të dëmtuarën me të cilën ishte në lidhje dy javëshe, dënohet me 1 mijë euro gjobë

I akuzuari B.S. pas pranimit të fajësisë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas aktakuzës ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën A.Z., është dënuar me 1 mijë euro gjobë. Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“. Gjykatësi Ahmeti tha se i…

Lajme

17/12/2025 14:40

I akuzuari B.S. pas pranimit të fajësisë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas aktakuzës ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën A.Z., është dënuar me 1 mijë euro gjobë.

Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Ahmeti tha se i akuzuri obligohet që gjobën ta paguajë në afat prej 2 muajsh dhe atë në dy këste mujore. E në rast se nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë gjobën, e njëjta i zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë burgim do t’i llogaritet për 20 euro të gjobës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që mban datën 26 korrik 2024, B.S., akuzohej se më 7 janar 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën A.Z., pas një mosmarrëveshje verbale duke e goditur me grushte në fytyrë dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Në aktakuzë thuhet se në deklaratën e saj të dhënë në Polici, e dëmtuara A.Z., ka thënë se më 1 janar 2023, ishte duke ecur në qytet për ta pritur autobusin, në mënyrë që të shkojë në shtëpi dhe sipas saj, i akuzuari B.S e ka sulmuar me grushte.

“Unë fillova të bërtas dhe pastaj B.S iku dhe disa kalimtarë e kanë thirrë policinë dhe më kanë dërguar në QKUK për tretman. Unë dhe B.S kemi qenë në lidhje rreth dy javë”, citohet të ketë thënë e dëmtuara në hetuesi.