E detyruan të paguaj viktimën mbi 100 mijë euro: Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi për fajde dhe ndaj dy të tjerëve për detyrim
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve P.T., A.G. për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa ndaj M.A. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Siç ka njoftuar Prokuroria, të pandehurit P.T. dhe A.G. akuzohen se gjatë viteve 2022-2023, me qëllim të…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve P.T., A.G. për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa ndaj M.A. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Siç ka njoftuar Prokuroria, të pandehurit P.T. dhe A.G. akuzohen se gjatë viteve 2022-2023, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë detyruar viktimën B.P, që të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
“Sipas aktakuzës, P.T., e kishte autorizuar viktimën për shitjen e një lokali në pronësi të tij, duke e mashtruar se i ishte bllokuar llogaria bankare. Viktima kishte lidhur kontratë për shitjen e lokalit me A.G., në vlerë prej 150 mijë eurosh. A.G., me arsyetimin se nuk është realizuar kontrata, përmes kanosjes e ka detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash. Ndërsa, M.A., e kishte detyruar B.P të paguaj tri herë më shumë sesa shumën e borxhit, të cilin viktima ishte detyruar ta merrte për shkak të gjendjes së rënduar financiare. Viktima është dëmtuar në shumën mbi 100.000 mijë euro”, ka njoftuar Prokuroria Speciale. /Lajmi.net/