E besoi si kujdestar, por i zhduku mbi 100 mijë euro – Dyshohet për vjedhje të rëndë e keqpërdorim besimi në Gjilan

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali. Një rast i tillë që përfshin…

Lajme

02/07/2025 09:05

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë që përfshin vjedhje dhe keqpërdorim të besimit është raportuar në Stacionin Policor në Gjilan, ku një shtetas gjerman ka deklaruar se ka humbur rreth 119 mijë euro, përfshirë ar dhe para kesh, nga shtëpia e tij në Lagjen e Zabelit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve brenda hetuesisë, ankuesi H.M., rreth 73-vjeçar ka raportuar se në periudhën 20 deri më 30 qershor 2025, nga shtëpia e tij i janë zhdukur stoli ari në vlerë prej 108,800 euro, si dhe para të gatshme, përfshirë edhe ato të tërhequra nga banka, me një vlerë totale prej rreth 119 mijë euro.

Në bazë të dyshimeve të ngritura, policia ka identifikuar si të dyshuar E.M., rreth 29-vjeçar, i cili sipas deklarimeve të veta ka pasur në posedim kartelën bankare të ankuesit “me vullnetin e tij”, duke pretenduar se ka qenë kujdestar i autorizuar me dokument noterial.

Pas autorizimit të Prokurorit të Shtetit, janë bastisur dy lokacione të dyshuarit si dhe një tjetër që i përkiste një dëshmitari.
Në njërën prej shtëpive të të dyshuarit, janë gjetur: 1,000 euro para të gatshme, të tërhequra nga Raiffeisen Bank, kuponi i bankomatit, si dhe kartela bankare e ankuesit, të cilat janë sekuestruar dhe kthyer menjëherë pronarit.

Në lokacionet tjera nuk është gjetur ndonjë provë relevante. Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar dy telefona celularë, nga i dyshuari dhe dëshmitari,për analizë të mëtejme.

Për të gjitha veprimet janë njoftuar njësitë përkatëse hetimore, përfshirë krim-teknikën rajonale, e cila ka bërë fiksimin dhe dokumentimin e vendit të ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për veprat penale: “Vjedhje e rëndë”, dhe “Keqpërdorim i besimit”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa lënda është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm