“E bëra me qëllim për ta vrarë”, ka deklaruar në Polici i dyshuari që plagosi gruan e tij

 Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Idriz Alija, nën dyshimin për plagosjen e gruas së tij në Bresje të Fushë-Kosovës. Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari…

Lajme

08/08/2024 20:26

 Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Idriz Alija, nën dyshimin për plagosjen e gruas së tij në Bresje të Fushë-Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari Alija, në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, ka deklaruar në Polici: “Unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, vetëm dua t’ju tregoj se gjithçka që kam bërë sot me Sh.F e kam bërë me qëllim për ta vrarë”.

Aty thuhet se Prokuroria kërkesën për caktim të paraburgimit përveç rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në dëshmitarë, e kishte mbështetur në arsyetimin se i dyshuari edhe më herët ka pasur mosmarrëveshje duke shkaktuar dhunë në familje, e për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale. Po ashtu, thuhet se i pandehuri ka një të kaluar kriminale të evidentuar si i dyshuar për vepra të ndryshme penale në 38 raste.

Në vendim, thuhet se Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të dyshuarit Aliaj, që ky i fundit të dërgohet për ekzaminim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me arsyetimin se mbrojtja nuk i ka mbështetur thëniet e tij me prova dhe se gjykata nuk ka vërejtur se i dyshuari vuan nga ndonjë sëmundje mendore.

Prokuroria: I dyshuari shtiu me armë zjarri disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e goditi 8-9 herë në kokë me kondak të armës

Sipas Gjykatës, në seancë dëgjimore, prokurorja Fatmire Cacaj ka paraqitur arsyet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Aliajt, i cili dyshohet se më 6 gusht 2024, rreth orës 07:33 në rrugën e “Pejës” në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, afër semaforëve, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, me qëllim ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar.

Më tej, thuhet se me atë rast ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, ku përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj të mitur në rrugë duke ecur, i ka përcjellë nga prapa disa metra, e pasi të njëjtit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, nxjerr armën nga brezi e repetit e nga një distancë e afërt, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë, me ç’rast e dëmtuara rrëzohet në tokë, pastaj djali i saj i mitur tenton ta largojë të pandehurin nga ajo, por që Alija prapë shtie me armë zjarri disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e godet me forcë të madhe rreth 8-9 herë në kokë me kondak të armës së zjarrit derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën duke e hedhur në trotuar dhe ta shtrijnë për toke të pandehurin.

Pastaj, thuhet se policia e arrestoi Aliajn, ndërsa të dëmtuarës i është ofruar trajtim mjekësor në vendngjarje nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresje e më pas është dërguar në QKUK- Prishtinë, pasi i ishin shkaktuar lëndime trupore, përkatësisht nga arma e zjarrit mori plagë në gjoks, bark dhe në krahun e djathtë, si dhe dëmtime në kokë nga goditjet me kondak të armës.

Me këtë, i pandehuri Alija dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas vendimit të Gjykatës, prokuroria në kërkesë ka theksuar se i dyshuari Alija ka mbajtur pa leje armën e tipit TT., ku në vendngjarje u gjetën tri gëzhoja dhe një predhë, ndërsa armën e zjarrit e kishte marrë një person i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes, e të cilin më pas e ka identifikuar policia dhe nga i njëjti është sekuestruar arma me tre fishekë dhe një karikator. Ndaj tij, është iniciuar procedurë tjetër penale.

Me këtë, Alija dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, thuhet se i pandehuri Alija nuk i është bindur urdhrit për mbrojtje sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Fushë-Kosovë, përmes të cilit i ishte ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës- bashkëjetueses së tij 20 metra në vendet publike dhe 100 metra në vendqëndrimin e tyre aktual. Pasi, me dashje në afërsi e përcjellë dhe me armë zjarri tenton ta privojë nga jeta. Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, par.1 të Kodit Penal.

Bazuar në këto, prokurorja Cacaj në seancë dëgjimore kishte propozuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimt, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer tri veprat e lartpëmendura penale dhe me qëllim të sigurimit të tij në procedurë penale dhe pengimit të përsëritjes së veprave penale.

Sipas prokurores, provat personale dhe materiale tregojnë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat për të  cilat dyshohet, e këto prova janë: video-incizimi nga kamera e sigurisë e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë, ku shihet qartë se i pandehuri ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme me qëllim të privimit nga jeta të të dëmtuarës në vend publik të frekuentuar nga shumë qytetarë, pastaj raportet mjekësore të lëshuara nga Klinika Emergjente në Prishtinë, të cilat konstatojnë se e dëmtuara ka pësuar lëndime të rënda trupore, raporti i policit, deklaratat e dëshmitarëve, si dhe deklarata e të pandehurit e dhënë në prezencë të avokatit të angazhuar sipas detyrës zyrtare, si dhe foto-dokumentacioni i bashkëngjitur në lëndë.

“Ka deklaruar se “unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, vet dua të ju tregoj se krejt çka kam bo sot me Sh.F e kam bërë me qëllim për ta vrarë“, citohet të ketë deklaruar i dyshuari në Polici.

Në vendimin e Gjykatës, thuhet prokuroria kërkesën për paraburgim e ka mbështetur edhe në atë se ekziston rreziku serioz se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset dhe t’i shmanget drejtësisë, se mund të ndikojë në dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga Policia por jo edhe nga Prokuroria, si dhe dëshmitarë të tjerë që janë në proces të identifikimit, përfshirë ata që shihen në video-incizim, e që cilët dëshmitarë kishin parandaluar që e dëmtuara të privohej nga jeta. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën e kryerjes në një vend publik, ku ishte vënë në rrezik edhe jeta e të miturit që ishte me nënën, si dhe jetën e shumë personave tjerë që ishin të pranishëm në vend publik, e që vendi ishte i frekuentuar nga shumë qytetarë.

Gjithashtu, thuhet se fakt tjetër me rëndësi është se i pandehuri edhe më parë ka pasur mosmarrëveshje, duke shkaktuar dhunë në familje, e që për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale. Ndërsa, në ditën kritike nuk e ka përfillur vendimin e Gjykatës të 4 gushtit 2024, masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Më tej, thuhet se sipas databazës së Policisë, i pandehuri ka një të kaluar kriminale të evidentuar si i dyshuar për vepra të natyrave të ndryshme rreth 38 raste./BetimipërDrejtësi