“E ardhmja e kujdesit shëndetësor”, përdorimi i inteligjencës artificiale është çështje kohe
Në konferencën “E ardhmja e kujdesit shëndetësor”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është diskutuar për nevojat shëndetësore në sektorin publik. Gjithashtu, u tha se përdorimi i inteligjencës artificiale në disa segmente të shëndetësisë publike është çështje kohe. Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse në përmirësimin…
Lajme
Në konferencën “E ardhmja e kujdesit shëndetësor”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është diskutuar për nevojat shëndetësore në sektorin publik. Gjithashtu, u tha se përdorimi i inteligjencës artificiale në disa segmente të shëndetësisë publike është çështje kohe.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
“Shëndeti nuk është vetëm çështje personale, por edhe themel për produktivitet dhe prosperitet në çdo shoqëri. Qasja në shërbime profesionale dhe të përballueshme, si dhe të besueshme të kujdesit shëndetësor është sfidë më të cilën ballafaqohen shtete të shumta në botë. Është sektori, investimi në ngritjen e të cilit kërkohet përcaktim i paluhatshëm i të gjithë neve në Kosovë. Le të promovojmë bashkërisht rëndësinë e dialogut gjithëpërfshirës në sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha Zeka.
Kryesuesi i komitetit të industrisë spitalore, Vullnet Kusari ka folur mbi nevojat në fushën e shëndetësisë në Kosovë.
“Në perspektivën e sektorit privat më së shumti kemi nevojë që të bashkëpunojmë me institucionet publike në hartimin e ligjeve të qëndrueshme në fushën e shëndetësisë, të cilat përkrahin inovacionin e teknologjisë, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, zhvillimin e profesionistëve shëndetësor, krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësor duke mundësuar që trajtimet të bëhen brenda Kosovës dhe të zvogëlohen trajtimet jashtë vendit. Dua të shpreh dhe nevojën për investimet në sistemin e menaxhimit shëndetësor, përkatësisht digjitalizimin e shërbimeve, të domosdoshme për lidhjen në mes sektorit publik dhe privat që të ketë pasqyrë reale për secilin trajtim mjekësor që ofrohet në Kosovë. Kjo do të mundëson rritjen e besimit dhe transparencës, por edhe zhvillimit të shëndetësi duke mundësuar rritje të kënaqshme për qytetarët për të kryer trajtime brenda shtetit tonë”, tha Kusari.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se së shpejti inteligjenca artificiale do të përdoret në disa segmente të shëndetësisë publike.
“Ne po përgatitemi qa të kemi kolazhin më të përparuar në rajon të pajisjeve shëndetësore në sektorin publik. Së shpejti do të përgatisim terrenin për hyrjen edhe të teknologjive tjera 3D për disa lëmi mjekësore. Inteligjenca artificiale është shumë pranë nesh, ndaj tanimë përgatitjet në përdorimin e saj në disa nga segmente të shëndetësisë publike është vetëm çështje kohe. Sigurimet shëndetësore po bëhen, atyre po u paraprinë me shtimin e shërbimeve të reja dhe investime në infrastrukturën shëndetësore në sektorin publik”, tha Vitia.