Dyshohet se vodhi 50 mijë euro pajisje elektronike, e ari në vlerë 100 mijë euro- Dogana jep detaje për arrestimin e suspendimin e zyrtarit Shala

Ka pak ditë që kur një person zyrtar përfundoi i arrestuar, në kuadër të disa hetimeve që po bëheshin në Doganën e Kosovës. Bëhet fjalë për një zyrtar të Doganës së Kosovës, që dyshohet se po vidhte pikërisht nga vendi ku punonte. Zyrtari doganor u vu nën prangat e policisë nën dyshimin se kreu veprat…

Lajme

30/06/2025 10:33

Ka pak ditë që kur një person zyrtar përfundoi i arrestuar, në kuadër të disa hetimeve që po bëheshin në Doganën e Kosovës.

Bëhet fjalë për një zyrtar të Doganës së Kosovës, që dyshohet se po vidhte pikërisht nga vendi ku punonte.

Zyrtari doganor u vu nën prangat e policisë nën dyshimin se kreu veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës, apo autoritetit zyrtar si dhe përvetësim të detyrës”..

Të gjitha këto vepra të cilat u hetuan gjerë e gjatë nga organet e hetuesisë, çuan në arrestimin e tij e më vonë vendosjen e masës së paraburgimit prej një muaj.

Ditë më parë lajmi.net raportoi ekskluzivisht se bëhet fjalë për zyrtarin e Doganës, Valmir Shala.

Valmir Shala është zyrtari i Doganës së Kosovës që dyshohet se vodhi pikërisht institucionin në të cilin punoi për një kohë të gjatë.

Sipas burimeve të lajmi.net, Shala vodhi në depon e Doganës së Kosovës pajisje në vlerë elektronike rreth 50 mijë euro.

Por kjo nuk përfundon me kaq.

Detaje të tjera shokuese nga ky rast nxjerrin në pah se i dyshuari, Shala përpos pajisjeve elektronike ishte përkujdesur që t’i zhduk nga depo edhe një numër të madh të cigareve.

E në depo të Doganës u vërejt edhe mungesa e rreth një kilogram ari- e për të cilat dyshohet se u vodhën pikërisht nga i lartcekuri.

Vlera e rreth një kilogram ari të vjedhur dyshohet se arrin në 100 mijë euro vlerë monetare.

E në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe Dogana e Kosovës, nga ku u konfirmua se në kuadër të hetimeve të brendshme dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit është arrestuar nëpunësi për shkak të përgjegjësisë së tij në detyrat e punës në logjistikë.

“Arrestimi është bërë bazuar në gjetjet e një komisioni të Doganës, i cili ka kryer një kontroll të stokut në depot e Doganës. Gjatë këtij kontrolli, është konstatuar se disa mallra të regjistruara në sistem mungojnë nga një prej depove të përdorura për ruajtjen e tyre”,thuhet në përgjigjen e Doganës.

Po ashtu u tha se pas konstatimit të këtyre parregullsive është angazhuar hetuesi i Doganës, i cili më pas ka kontaktuar prokurorin përgjegjës- ku bazuar në vendimin e prokurorit, është vepruar me procedurë penale përfshirë edhe masën e ndalimit.

“Për shkak të procesit hetimor që është në vazhdim, Dogana e Kosovës nuk mund të ofrojë detaje të mëtejshme në këtë fazë, derisa kjo të jetë e përshtatshme për ecurinë e hetimeve”.

Por nga Dogana u tha se tanimë është marrë vendimi për suspendimin e Shalës nga puna.

“Dëshirojmë të theksojmë se Dogana e Kosovës ka ndërmarrë tashmë vendimin e suspendimit të zyrtarit në fjalë dhe dëshiron të sigurojë opinionin publik se nuk do të tolerojë në asnjë rrethanë sjellje të tilla nga ana e zyrtarëve të saj. Angazhimi ynë mbetet i palëkundur në ruajtjen e integritetit dhe transparencës”,thuhet nga Dogana e Kosovës.

Nga Prokuroria u tha se ndaj të pandehurit V.SH., është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas prokurorisë, janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se ndaj të pandehurit V.Sh., është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë (30) ditësh.Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë”, u tha në përgjigjen e prokurorisë të dhënë për lajmi.net.

Kurse në fillim në lidhje me rastin njoftimi i Prokurorisë bëri të ditur edhe veprat me të cilat ngarkohet tanimë i pandehuri.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe në koordinim me Hetuesit e Doganës së Kosovës, ka realizuar një aksion gjatë të cilit është arrestuar një person i dyshuar për veprat penale  ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’’  bazuar nga neni  414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘’Përvetësimi në detyrë’’ në bazë të nenit 418 të KPRK-së”, thuhej nga prokuroria./Lajmi.net/