Dyshohet se sulmoi seksualisht vajzën e tij, Prokuroria në Gjakovë thonë se do të kërkojnë paraburgim ndaj të dyshuarit
Një rast tejet i rëndë ka ndodhur në Gjakovë. Dje në Stacionin Policor të këtij qyteti, janë paraqitur një nënë me vajzën e saj të mitur, për të raportuar një rast të dyshimit për sulm seksual. Lajmin për këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Gjakovë, Vlera Krasniqi e cila ka thënë…
Lajme
Një rast tejet i rëndë ka ndodhur në Gjakovë.
Dje në Stacionin Policor të këtij qyteti, janë paraqitur një nënë me vajzën e saj të mitur, për të raportuar një rast të dyshimit për sulm seksual.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Gjakovë, Vlera Krasniqi e cila ka thënë se i dyshuar është një person i moshës madhore, anëtar i ngushtë i familjes.
“Për t’u siguruar që e mitura të trajtohet me kujdesin e duhur, ajo është dëgjuar nga Njësia Rajonale e Hetimeve në prani të zyrtares nga Qendra për Punë Sociale. Policia e Kosovës ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë të dyshuarin. Në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është inicuar rasti ‘Sulmi seksual'”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.
Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë për lajmi.net edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Ata për lajmi.net kanë thënë se ndaj të dyshuarit, do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual” dhe ndaj të njëjtit Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Prokurori i Shtetit në koordinim me Policin e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e tyre për lajmi.net.
Ata kanë thënë se meqë rasti ka të bëj me të mitur, sipas dispozitave ligjore është i mbyllur për publikun.
Në lidhje me këtë rast, në media është raportuar se rasti ka ndodhur në fshatin Hereq të Gjakovës dhe dyshohet se babai ka sulmuar seksualisht vajzën e tij.
Siç ka raportuar gazeta Sinjali, viktima e moshës 11-vjeçare është dëgjuar në prani të nënës dhe përfaqësueses së Qendrës për Punë Sociale, ku ka deklaruar se është sulmuar seksualisht nga i dyshuari gjatë kohës kur po qëndronte në shtëpinë e tij.
Fillimisht, i dyshuari kishte arritur t’i shmangej organeve të rendit dhe nuk ishte lokalizuar menjëherë pas raportimit të rastit, duke mbetur për disa kohë në kërkim nga policia.
Megjithatë, pas ndërmarrjes së veprimeve intensive hetimore dhe operative nga njësitet përkatëse, është arritur të lokalizohet dhe arrestohet i dyshuari M.S. (50-vjeçar). /Lajmi.net/