Dyshohet se lejoi kalimin pa kontroll të një furgoni me mallra në Vërmicë – Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për zyrtarin doganor

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit doganor I.K., i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur…

Lajme

18/07/2025 11:01

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit doganor I.K., i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, në Pikën Kufitare në Vërmicë, kur i pandehuri I.K., në cilësinë e zyrtarit doganor, dyshohet se ka lejuar hyrjen e një furgoni të mbushur me mallra komerciale pa e kontrolluar fare, duke tejkaluar kështu kompetencat e tij zyrtare, transmeton lajmi.net

Furgoni i markës “Mercedes Sprinter 316 CDI”, që drejtohej nga një person me inicialet A.K., kishte hyrë në pikën kufitare dhe ishte ndalur në kabinën nr. 6. Pas një komunikimi me zyrtarin doganor, të dy personat janë larguar nga kabina për të biseduar jashtë, me qëllim të shmangies së incizimeve audio-vizuele në hapësirat e punës.

Pas kësaj, drejtuesi i furgonit është larguar me automjet pa asnjë kontroll doganor, ndërsa zyrtari I.K. e ka regjistruar në sistemin “SEED” se furgoni ishte “i zbrazët”. Më pas, automjeti është ndaluar në rrugën e vjetër Vërmicë–Prizren, pranë një restoranti, nga njësia për antikontrabandë, ku pas kontrollit është zbuluar se automjeti ishte i ngarkuar me mallra komerciale – këpucë sportive – me vlerë prej 11,457.60 euro.

Sipas vlerësimeve të Doganës dhe Prokurorisë, me këtë veprim është shmangur pagesa e detyrimeve doganore në vlerë prej 3,414.36 euro, duke shkaktuar dëme financiare ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar përkushtimin e saj për të luftuar veprat penale, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që cenojnë interesin publik dhe ligjshmërinë në institucionet shtetërore.

Komunikata e plotë:

Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për zyrtarin doganor

Prizren, 18 Korrik 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 16.07.2025, rreth orës 19:17min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësi të zyrtarit doganor i caktuar në PKK në Vërmicë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, ashtu që në kundërshtim me rregullativën ligjore që ka pasur për detyrim të ndal veturën, të hap bagazhin dhe të bëjë kontrollimin e veturës, i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin, në atë mënyrë që automjeti- furgoni i markës “Mercedes Sprinter 316 CDI”, të cilën e drejtonte A.K., hynë në pikën kufitare dhe e parkon automjetin në kabinën nr.6, dhe fillon të komunikojë me të pandehurin, të cilit ia jep një letër dhe pastaj kthehet për të marr dokumentet dhe futet deri tek dera e kabinës ku ishte duke punuar i pandehuri I.K., dhe pas bisedës së shkurtër, të cilët duke qenë në dijeni se brenda kabinave ka video incizim me audio, të dy dalin jashtë dhe bisedojnë edhe disa sekonda, pastaj drejtuesi i furgonit A.K., largohet me furgon duke mos u kontrolluar fare, ndërsa i pandehuri I.K., në të dhënat “SEED”, regjistron se furgoni i lartpërmendur është i zbrazët, ku pastaj furgoni lëviz në rrugën e vjetër afër pikë kalimit kufitar në Vërmicë – Prizren, saktësisht afër një Restauranti duke lëvizur në drejtim te Prizrenit ndalet nga njësia për antikontrabandë të cilët kanë sinjalizuar automjetin në fjalë  duke përdorur dritat rotative dhe borinë, dhe pas kontrollimit të automjetit rezulton të jetë i ngarkuar me mall komercial patika te ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 €, duke ju shmangur detyrimeve doganore në vlerë prej 3,414.36 €, me të cilat veprime i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./lajmi.net/