Dyshohet për kontrabandim me migrantë, pesë shtetas pakistanezë gjenden në një banesë në Ferizaj
Pesë shtetas pakistanezë janë gjetur në një banesë në Ferizaj, në një rast që Policia e Kosovës po e heton si të dyshuar për kontrabandim me migrantë. Rasti është raportuar më 8 gusht, rreth orës 09:00, pasi Policia kishte siguruar informacione se në banesën e një shtetasi të Shqipërisë, e cila ishte marrë me qira,…
Lajme
Pesë shtetas pakistanezë janë gjetur në një banesë në Ferizaj, në një rast që Policia e Kosovës po e heton si të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Rasti është raportuar më 8 gusht, rreth orës 09:00, pasi Policia kishte siguruar informacione se në banesën e një shtetasi të Shqipërisë, e cila ishte marrë me qira, ndodheshin pesë persona me shtetësi pakistaneze.
Gjatë veprimeve policore në vendin e ngjarjes janë gjetur personat, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar gjashtë pasaporta dhe shtatë leje qëndrimi të Qipros, një letërnjoftim pakistanez, katër pasaporta të Bangladeshit, një pasaportë dhe një letërnjoftim të Nepalit, një patentë-shoferi të Pakistanit si dhe një çelës veture.
“Policia e Kosovës ka siguruar informacione se në banesën e të dyshuarit mashkull shqiptar, shtetas i Shqipërisë, të cilën e kishte me qira, gjenden pesë persona me shtetësi pakistaneze”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Personat e gjetur janë dërguar në Qendrën e Pritjes në Vranidoll, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitë relevante policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. /Lajmi.net/