Dyshohet edhe për dy varreza masive në Rashkë

Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se në Rashkë dyshohet edhe për dy varreza tjera masive. Thotë se nga incizimet satelitore janë vërejtur lëvizje të dheut.

Lajme

16/12/2013 09:15

Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se në Rashkë dyshohet edhe për dy varreza tjera masive. Thotë se nga incizimet satelitore janë vërejtur lëvizje të dheut.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se në Rashkë të Serbisë dyshohet edhe për dy lokacione për varreza masive.

Gërxhaliu deklaroi për “Epoka e Re” se për varrezat masive në Rashkë është dyshuar që nga viti 2002.

“Kur ta kontrollojmë këtë varrezë do ta kemi përafërsisht numrin se sa njerëz gjendën në të”.

“Edhe në ato dy vende të tjera nga incizimet satelitore kemi gjetur lëvizje të dheut”.

Në këtë varrezën, e cila është zbuluar javën e kaluar, Gërxhaliu thotë se dyshohet të jenë varrosur deri në 450 persona.

Por, puna atje është ndërprerë për shkak të temperaturave të ulëta.

Gërxhaliu thotë se tani për tani është e pamundur të bëhet zhvarrimi i mbetjeve mortore në këtë varrezë.

“Temperaturat gjatë ditës kanë qenë -12 gradë celsius. Edhe po ta rrënonim atë ndërtesë, momentalisht nuk mund të punohet për shkak të ngricave. Tani nuk mund të punohet me vegla të mëdha, por me vegla të dorës. Kur të punosh me vegla dore, duhet të biesh në dy gjunjët për të punuar. Dheu atje është pothuajse akull”.

Por, kur pritet të bëhet zhvarrimi i këtyre mbetjeve mortore.

Gërxhaliu thotë se gjatë kësaj jave do të takohen me autoritetet e Serbisë për të diskutuar për këtë çështje.

“Këtë javë do të takohemi për ta bërë strategjinë për të ecur tutje. Pra, do të dakordohemi se di do ta organizojmë punën”.

Sipas Gërxhaliut, zbulimi i kësaj varreze nuk ka pasur kurrfarë ndikimi dialogu Kosovë – Serbi, konkretisht Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila është arritur me 19 prill të këtij viti.