Dyshimet për trukime në Superligë, reagon MKRS

Xhiro e 36-të dhe e fundit në Superligën e Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta për shkak të rezultateve të dyshimta në ndeshjet Trepça ’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini. Një gol i pësuar nga Dukagjini përballë Ferizajt në minutat shtesë ngjalli reagime të shumta në opinionin sportdashës duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur kurdisje…

Sport

29/05/2023 10:05

Xhiro e 36-të dhe e fundit në Superligën e Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta për shkak të rezultateve të dyshimta në ndeshjet Trepça ’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini.

Një gol i pësuar nga Dukagjini përballë Ferizajt në minutat shtesë ngjalli reagime të shumta në opinionin sportdashës duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur kurdisje rezultatesh në këto ndeshje, transmeton lajmi.net.

Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që ka bërë të ditur se këto dy ndeshje, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.

Zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani përmes një postimi në “Facebook” ka kërkuar nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.

Ajo ka thënë se nuk duhet të mbyllen sytë para dyshimeve për trukime, por duhet hetime rreth tyre.

Reagimi i plotë i Osmani në “Facebook”:

Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.

Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.

Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet.

Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment.

Nga rezultatet e këtyre dy ndeshjeve, Trepça ’89 ka rënë në Ligën e Parë, kurse Ferizaj do të luajë në barazh përballë Lirisë së Prizrenit./Lajmi.net/