Dyshimet për parregullsi, ZKA dërgon në Prokurori 69 raste të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për vitet 2024-2025. Çështjet e dërguara lidhen kryesisht me dyshimet për shkelje dhe parregullsi në prokurim publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale si dhe paga dhe mëditje. Sipas ZKA-së tashmë kanë marrë…

Lajme

03/09/2025 12:57

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për vitet 2024-2025. Çështjet e dërguara lidhen kryesisht me dyshimet për shkelje dhe parregullsi në prokurim publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale si dhe paga dhe mëditje. Sipas ZKA-së tashmë kanë marrë konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Shtetit se çështjet e ngritura janë dorëzuar tek prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore.

Zëvendës auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në konferencë për media të mërkurën tha se numri i rekomandimeve të dhëna është rritur nga 817 në 945, por niveli i zbatimit ka mbetur i ulët, vetëm 37 për qind, duke reflektuar regres në përmirësimin e praktikave institucionale.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025. Këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje. Konkretisht, shpërndarja e rasteve sipas fushave është: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat. Sipas llojit të institucioneve, 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe 3 raste nga institucione të tjera. ZKA, tashmë ka marrë konfirmim nga Zyra e Prokurorit të Shtetit se të gjitha 69 çështjet janë dorëzuar tek prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore. Sipas planit vjetor, pas publikimit të raporteve të auditimit të pajtueshmërisë dhe të performancës, rastet e reja të identifikuara do të analizohen dhe do t’i përcillen Prokurorit të Shtetit gjatë muajve në vijim”, tha ai, raporton KosovaPress.

Ndërsa, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tregoi gjetjet e auditimit në tri komuna, Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.

Sipas saj gjetjet tregojnë se këto komuna kanë treguar mangësi serioze në administrimin e pasurisë publike.

“Auditimi ynë tregon se Komuna e Prishtinës ka shfaqur mangësi serioze në administrimin e pasurisë publike. Kjo rrezikon ligjshmërinë, trasparencën dhe interesin publik. Ndër gjetjet kryesore të identifikuar janë: Komuna nuk ka menaxhuar pronat si duhet nën administrimin e saj, kontrollet e brendshme nuk kanë funksionuar dhe procesi i planifikimit nuk ka qenë i plotë dhe transparent. Mungon një regjistër i përditësuar i pronave, s’janë miratuar rregulloret e brendshme dhe lista për vitin 2024 nuk është aprovuar nga kuvendi komunal. Janë identifikuar raste ku prona është dhënë në shfrytëzim pa respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e kuvendit komunal….Auditimi i kryer në Komunën e Prizrenit ka nxjerrë një sërë mangësish, si: Mosrespektimi i afateve ligjore nga ofertuesit dhe mosveprimi i komunës për ekzekutimin e sigurimit të ofertës… Po ashtu, edhe në Komunën e Gjilanit ZKA ka identifikuar një sërë mangësish disa prej të cilave po i përmend në vijim: Komuna përgjatë viteve nuk ka respektuar kërkesat ligjore për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, duke i dhënë disa prona pa aprovim nga Kuvendi Komunal dhe pa ankand publik. Këto kontrata ende janë valide. Disa prej tyre kanë të bëjnë më shfrytëzimin e pronës nga institucione fetare, sportive, si dhe në dy raste pronat shfrytëzohen nga dy subjekte politike”, tha ajo.

Krahas këtyre, u tha që në proceset e prokurimit për projekte publike janë gjetur mangësi që dëmtojnë transparencën, konkurrencën dhe përdorimin efikas të fondeve publike.

Po ashtu u theksua që në auditimin ndaj Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhuesve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, po ashtu edhe në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.