Dyshimet për dallavere në Ministrinë e Mjedisit- Izedin Bytyqi arrestohet, Naser Hafizi nuk u gjetë në shtëpi e lajmërohet nga Franca

Që në orët e para të mëngjesit objekti i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që gjendet tek ish-Rilindja u mbush me zyrtarë policorë. Për orë të tëra zyrtarë të shumtë policorë nga Krimet Ekonomike kryen detyrën e tyre në hetimin e dyshimeve për korrupsion në këtë ministri. Gjithë ky aksion i ndërmarrë nga…

Lajme

09/10/2024 09:20

Që në orët e para të mëngjesit objekti i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që gjendet tek ish-Rilindja u mbush me zyrtarë policorë.

Për orë të tëra zyrtarë të shumtë policorë nga Krimet Ekonomike kryen detyrën e tyre në hetimin e dyshimeve për korrupsion në këtë ministri.

Gjithë ky aksion i ndërmarrë nga Policia e Kosovës lidhet saktësisht me dyshimet për keqpërdorimet që janë bërë në lidhje me ambalazhuesit e ujit.

Saktësisht këto hetime lidhen me Departamentin për Pellgje Ujore, që drejtohet nga Naser Hafizi, e që ishte përmendur në kuadër të këtyre hetimeve.

Siç ishte raportuar ministria kishte shlyer borxhe për firma të ndryshme në mënyrë të dyshimtë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm mbi 10 milionë euro.

E në këtë ministri dje u soll nga Policia edhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Izedin Bytyqi.

Policia e Kosovës dje kishte bastisur edhe shtëpinë e Bytyqit, nga ku ishin sekuestruar shumë dëshmi.

Por jo vetëm kaq. Nga Izedin Bytyqi gjithashtu u sekuestruar edhe një armë e fishekë të shumtë.

Pas disa orëve bastisje në ministri, Policia e Kosovës me veti mori dje dokumente të shumta e kompjuterë që do të shërbejnë për hetimin e këtij rasti.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është zhvilluar një aksion në MMPHI, në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore. Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij”,thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu u tha se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

  1. Një (1) revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm.
  2. Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme.
  3. Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax
  4. Shtatëmbëdhjetë (17) USB.
  5. Tre (3) llaptop HP.
  6. Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe
  7. Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.

Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Por pikërisht Naser Hafizi nuk është arritur që të ndalohet nga Policia, për shkak se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Hafizi njihet edhe për afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa i njëjti shpesh herë është parë dehe në organizime të shumta, i afërt me njerëzit e parë të kësaj partie.

Madje ai mbrëmë është lidhur në një linjë direkte në Debat Plus ku tha se ndodhet në një udhëtim zyrtar në Francë.

Për këtë udhëtim, Hafizi tha se ka marr aprovimet e nevojshme nga Ministria.

“Unë aktualisht jam në një udhëtim zyrtar në Francë….Unë i kam marrë të gjitha aprovimet prej Ministrisë”, ka deklaruar Hafizi.

“Mirë që i keni dy ish ministra të Planifikimit Hapësinor në studio dhe të dy e dinë gjendjen edhe problematikën e kësaj çështje, e cila është që gati 20 vite në ministri. Dokumentet e publikuara nga gazetari janë dokumente të fabrikuara, të montuara”, ka deklaruar tutje Hafizi.

Ai tha se do të kthehet në Kosovë pasnesër dhe se do të paraqitet në Prokurori.

“Jo, sot më ka thirr vetëm një polic hetues për këtë çështje prej kur ka fillu hetimi dhe i kam thënë që jam në një udhëtim zyrtar jashtë vendit. Patjetër (që do të paraqitem). Kom me u kthy pasnesër”, ka thënë Hafizi.

Në lidhje me këtë rast që po dyshohej tash e sa kohë ishte deklaruar edhe ministri Aliu, i cili ka mohuar akuzat.

“Në lidhje me borxhin e kompanive që ambalazhojnë, unë vetëm dua të them kështu: Nuk ka asnjë vendim për falje të asnjë borxhi, qysh njëjtë nuk ka asnjë vendim i cili e përcakton borxhin milionësh çfarë pretendohet. Çka ka, ka pagesa të rregullta, normale qysh kanë qenë në cilëndo prej qeverive sipas raportimeve të kompanive për sasinë e ujit të shitur që e kanë pas. Për kompani të cilat nuk kanë raportu dhe supozohet se kanë borxhe, në cilëndo prej qeverive më herët ka pasur një lloj kalkulimi të një borxhi të supozuar në bazë të udhëzimit administrativ që thotë me marr sasinë maksimale të ujit që shfrytëzohet. Kjo është në shpërputhje me vetë këtë udhëzim administrativ ku thotë këtu shumë qartë, thotë: Të gjithë ambalazhuesit të ujit mineral apo të pijshëm paguajnë 0.009 euro për litër të shitur, pra thuhet për litër të shitur. Sasia e shitur që shesin kompanitë nuk mund të përcaktohet as me ujëmatës, as nuk mund të përcaktohet nga sasia maksimale që ata e marrin ujin. Pra se sa ata shesin duhet me përcaktu në mënyra tjera ose me raportim të tyre”, ka deklaruar Aliu në Kuvend. Ai e quajti “nonsens” këtë përllogaritje, që tha se ka ndodhur edhe në qeveritë e kaluara. Për kompanitë që tashmë kanë paguar borxhet, ai tha se llogaritja është bërë në bazë të raportimit të tyre.

“Krejt mund të supozohet është që një kompani ka mujt maksimalisht me prodhu kaq dhe po e supozojmë që atë sasi që e paska prodhu e paska shit, atëherë mundemi me thanë që kaq maksimalisht ke mujt me shit, rrjedhimisht në bazë të kësaj analize maksimale mundet me qenë borxhi yt maksimal kaq, por kjo nuk mundet me përfundu në vendim me thanë filan kompania i paska shit kaq miliona e miliarda litra ujë. Nëse themi 90 milionë euro borxh edhe konsiderojmë që qenka borxh taman, kjo i bjen me pretend që qenkan me dhjetëra miliarda ujë të shitur në vendin tonë. Kjo është një nonsens, që ka qenë nonsense në cilëndo qeveri dhe këtë nonsense e dinë të gjithë. Nëse ka pas kompani të përgjegjshme qysh po pretendohet tash prej disave, qato të njëjtat kompani të përgjegjshme që i kanë pagu borxhet e veta është llogaritë në bazë të raportimeve që i kanë ba”, pati thënë ai.

Duhet përkujtuar që Izedin Bytyqi njihet për autoritetet e hetuesisë edhe më parë.

Një vit më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në mesin e tyre edhe Izedin Bytyqi./Lajmi.net/