Dyshime për dëmtim buxheti mbi 1 milion euro, Prokuroria Speciale aktakuzë ndaj Fikrim Damkës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka (F.D.), dhe B.K., i cili në kohën e ngjarjes ka ushtruar detyrën e sekretarit të kësaj ministrie, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas Prokurorisë, Damka dhe B.K. akuzohen se gjatë periudhës 16 gusht…

Lajme

04/07/2025 16:23

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka (F.D.), dhe B.K., i cili në kohën e ngjarjes ka ushtruar detyrën e sekretarit të kësaj ministrie, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, Damka dhe B.K. akuzohen se gjatë periudhës 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare: “Germin” dhe “Caritas Zviceran”, transmeton lajmi.net

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe me procedurat ligjore për financimin publik të OJQ-ve, si dhe jashtë kompetencave të ministrisë, duke financuar këto dy organizata pa organizuar thirrje publike.

Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës si rezultat i këtyre veprimeve arrin në shumën prej 1,040,000 euro.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit të provave gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me burg efektiv dhe dënim me gjobë, me arsyetimin se vetëm me këto masa penale mund të arrihet qëllimi i ndëshkimit.

KOMUNIKATA E PLOTË: 

Aktakuzë kundër F.D dhe B.K për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

F.D., në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtesë rreth rastit

Ky rast ishte denoncuar më herët publikisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e kishte cilësuar këtë marrëveshje si një aferë të dyshimtë dhe të kundërligjshme, përmes së cilës – sipas saj – ishte mundësuar keqpërdorimi i rreth 1.1 milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Sipas saj, “Memorandumi i Bashkëpunimit” ishte nënshkruar më 16 gusht 2021 ndërmjet ministrit në detyrë Fikrim Damka dhe Caritas-it Zviceran – i regjistruar në Kosovë si OJQ – në kundërshtim me ligjet për marrëveshjet ndërkombëtare dhe për subvencionet publike. Musliu-Shoshi kishte theksuar se marrëveshja ishte nënshkruar vetëm pasi ishte dhënë pëlqimi zyrtar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Deputetja kishte deklaruar se kjo marrëveshje ishte inicuar në mënyrë të kundërligjshme dhe se ministria kishte ndarë 347 mijë euro nga buxheti për zbatimin e saj, pa pëlqimin e Ministrisë së Financave dhe jashtë çdo procedure të rregullt ligjore.

Në një konferencë, edhe avokati Faton Fetahu kishte argumentuar se marrëveshja ishte në kundërshtim me katër ligje kryesore: për marrëveshjet ndërkombëtare, për menaxhimin e financave publike, për ndarjet buxhetore dhe për subvencionet qeveritare./lajmi.net/