Dy zyrtarë policorë të Gjilanit të përfshirë në rrëmbimin e dy shtetasve maqedonas

Në Gjilan janë arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale të rrëmbimit, dy prej tyre janë policë.

Lajme

17/02/2021 19:29

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda duke shtuar se të njëjtit janë në paraburgim prej 48 orësh, shkkruan lajmi.net.

V.K., B.N., M.I., F.S., dhe V.K dyshohet se në fshatin Stanishor, Komuna e Novobërdës kanë rrëmbyer dy shtetas të Maqedonisë me qëllim të përfitimit material dhe të njëjtit i kanë mbajtur në një villë.

“Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të pandehurve do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjilan.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Ky është njoftimi i plotë:

Ndalohen 5 persona për rrëmbim, në mesin e tyre 2 zyrtarë policorë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar pesë (5) persona, tani të pandehurit V.K., B.N., M.I., F.S., dhe V.K. në kohëzgjatje prej 48 orëve, me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’Rrëmbimi’’, nga neni 191, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë këto veprime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, pasi që në mesin e të pandehurve janë dy zyrtarë policorë.

Dyshohet se rasti ka ndodhur në fshatin Stanishor Komuna e Novobërdës, ku të pandehurit më 16 Shkurt 2021, me qëllim të përfitimit material, kanë rrëmbyer dy shtetas të Maqedonisë, të cilët i kanë mbajtur në një villë në vendin e lartcekur.

Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të pandehurve do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjilan. /Lajmi.net/