Dy vjet nga vërshimet që dëmtuan bizneset dhe tokat bujqësore, ende pa kompensim nga qeveria
Dy vjet më parë, Latif Musaj – pronar i furrës “Evropa” në Mitrovicë, pësoi humbje të madhe në biznesin e tij. Si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet, atij iu dëmtuan të gjitha pajisjet dhe u detyrua t’i blejë të tjera, gjysmë të përdorura, për ta vazhduar punën. Sipas tij, vlera e dëmit që…
Lajme
Dy vjet më parë, Latif Musaj – pronar i furrës “Evropa” në Mitrovicë, pësoi humbje të madhe në biznesin e tij. Si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet, atij iu dëmtuan të gjitha pajisjet dhe u detyrua t’i blejë të tjera, gjysmë të përdorura, për ta vazhduar punën.
Sipas tij, vlera e dëmit që është konstatuar nga ana e komisionit vlerësues, është rreth 13 mijë euro.
Për asgjë nga këto, thotë ai, ende nuk është kompensuar nga qeveria.
“Na janë shkaktuar dëme aq shumë sa vlera e cila është konstatuar nga ekspertët që kanë qenë këtu është diku rreth 13 mijë euro…Nuk jemi kompensuar asnjëherë prej qeverisë…Dokumentacionin e kemi dërguar, e kanë verifikuar, kanë ardhur në vendngjarje, makinat janë mbushur me ujë krejt dhe na janë prishur. Jemi detyruar me i marrë disa të tjera gjysmë të përdorura…Neve me shpresë na shkoj jeta duke pritur”, thaMusaj.
Në janar të vitit 2023 komuna e Mitrovicës, si dhe disa komuna të tjera të Kosovës, u përfshinë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut.
Ato shkaktuan dëme milionëshe tek ekonomitë familjare, bizneset dhe tokat bujqësore.
Komuna e Mitrovicës ishte më e goditura, pas asaj të Skenderajt.
Që nga ajo kohë tashmë kur kanë kaluar dy vjet e Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar financiarisht bizneset dhe tokat bujqësore për dëmet, ndonëse premtohej një gjë e tillë.
Elvis Feka, drejtor për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës thotë për KosovaPress, se janë gjithsej 95 biznese në këtë komunë që kanë pësuar dëme nga vërshimet, të cilat sipas tij, përkundër plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, ende nuk janë kompensuar nga niveli qendror.
Sipas tij, vlera e dëmeve të këtyre bizneseve kap shumën rreth 3.8 milion euro.
“Kemi 95 biznese që janë dëmtuar…Nga shtabi emergjent kemi themeluar ekipet të cilat kanë dalur në terren, kanë bërë vlerësimet e të gjitha bizneseve dhe kanë përgatitur raport të veçantë për secilin biznes dhe të njëjtat janë përgatitur me të gjitha dokumentet e nevojshme, si dhe janë përcjellur në nivelin qendror për kompensim. Fatkeqësisht deri në këtë kohë, nuk kemi ndonjë informatë që këto biznese janë kompensuar nga niveli qendror dhe kjo ka pasoja të mëdha në zhvillimin ekonomik të qytetit të Mitrovicës për shkak se shumë biznese janë kthyer në pikën zero të cilat potencialisht kanë pasur numër të madh të punëtorëve të cilët kanë mbetur pa vende të punës…Në bazë të raportit të komisionit që është themeluar nga Komuna e Mitrovicës vlera e dëmeve në pjesën e bizneseve është rreth 3.8 milion euro”, ka thënë Feka.
Ferdi Kadriu, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Mitrovicë, thekson se janë 56 fermerë të evidentuar nga kjo komunë të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet, ndërsa vlera e këtyre dëmeve është rreth 100 mijë euro.
Ai tha se komuna i është përgjigjur disa herë kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave rreth disa paqartësive, në mënyrë që fermerët të kompensohen sa më parë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
“I kemi 56 fermerë të evidentuar të cilët i kanë ndjekur të gjitha procedurat dhe të cilat janë përcjellur nga komisioni për vlerësimin e dëmeve…I kemi shpërndarë 56 vauqera [kuponë] me vlerë nga 300 euro. Ky ka qenë kapaciteti ynë si komunë në bashkëpunim me donatorin tonë me i mbështetë. Vlera e dëmeve është rreth 100 mijë euro…Jemi përgjigjur disa herë për disa paqartësi që i ka pasur Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), dhe ende nuk kemi informacion zyrtar nëse janë kompensuar ose jo”, thotë Kadriu.
Edhe në veri të Mitrovicës janë gjashtë biznese – me pronarë shqiptarë – të prekura nga vërshimet e janarit të vitit 2023, të cilat poashtu nuk janë kompensuar deri tani nga qeveria.
Vlera e dëmit tek këto biznese është llogaritur të jetë deri në 100 mijë euro.
Në anën tjetër, KosovaPress-i nuk ka arritur tash e disa herë të marr përgjigje rreth kësaj çështje nga qeveria.