Dy vite nga sulmi në Banjskë ndërsa Radoiçiq ende i lirë – Krerët e insitucioneve dhe ndërkombëtarët sot bënë thirrje për drejtësi
Sot, janë bërë dy vite që nga sulmi më i rëndë terrorist në vend pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e që për pasojë ka humbur jetën rreshteri Afrim Bunjaku. Për të nderuar heroin Afrim Bunjaku, sot Policia e Kosovës ka organizuar një akademi përkujtimore ku kanë marrë pjesë krerët institucional të Kosovës. Në këtë…

Lajme
Sot, janë bërë dy vite që nga sulmi më i rëndë terrorist në vend pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e që për pasojë ka humbur jetën rreshteri Afrim Bunjaku.
Për të nderuar heroin Afrim Bunjaku, sot Policia e Kosovës ka organizuar një akademi përkujtimore ku kanë marrë pjesë krerët institucional të Kosovës.
Në këtë akademi përkujtimore dhe në homazhet tek varri i heroit Afrim Bunjaku, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë thirrje për drejtësi dhe vendosjen para drejtësisë për Milan Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë.
Ai tha se “tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë ta familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije të fëmijëve Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit sepse Afrim Bunjaku i përket Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta, këtë hero të Kosovës. Dua të theksoj edhe guximin e dyfishtë të Bunjakut, në njërën anë ia mësyu i pari bllokadës në Banjskë dhe këtë e bëri si një polic me përvojë që ishte edhe instruktor në Akademinë e Kosovës e shërbeu në stacionet e policisë në Mitrovicë e Vushtrri”, tha Kurti.
Ai deklaroi se Bunjaku ishte për 22 vjet polic, e prej 16 vjet me gradë rreshter- e tani e ka gradën Hero i Kosovës, e vetmja gradë që s’i merret as atij e të gjithë të tjerëve të cilët e kanë këtë gradë sikurse edhe zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymberi, shkruan lajmi.net.
“Por dua të theksoj se Afrim Bunjaku nuk lejoi që policët e tjerë me të rinj se ai, t’ia mësyjnë bllokadës së vendosur aty në rrugë nga kamionët e grupit terrorist paramilitarë të Serbisë të udhëhequr nga Radojicq. Ai si polic me përvojë, të rinjt nuk i la të flijohen e të sakrifikohen para tij. Por guximi i tij u pasua me guximin e Alban Rashitit që aty mbeti i plagosur, por që sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë ashtu sikurse shteti i Kosovës e sikurse Mirsad Rashiti në breshëri të plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Banjska e Zveçanit”,deklaroi Kurti, transmeton lajmi.net.
Kryeministri në detyrë i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të mos e konsiderojë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk e dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar e të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, e të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar e presidenti atje, Aleksandar Vuciq.
“Aktakuza përfshinë 45 persona e këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta e panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në vrasjen e Afrim Bunjakut e në këtë sulm agresorë e terroristë të tyre.Duhet theksuar edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Kosovën e për qytetarët e Kosovës pa dallim.Aty u vranë terroristë, e terroristët e tjerë të tre janë në burgjet e Kosovës e në kërkojmë që edhe 45 të tjerët të vihen para drejtësisë në Kosovë e ku do të kenë gjykim të drejtë.Lavdi Afrim Bunjakut, e policëve të rënë në krye të detyrës e dëshmorëve të kombit tonë”.
Afrim Bunjakun e ka përkujtuar duke vlerësuar lartë heroizmin e tij edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan lajmi.net.
Ajo tha se sakrifica e tij është dëshmi e pathyeshmërisë së Kosovës dhe e vendosmërisë për të mbrojtur lirinë.
“Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, u shpreh Osmani.
Presidentja theksoi se kujtimi i Bunjakut do të mbetet përjetësisht në historinë e vendit, si simbol i rezistencës dhe mbrojtjes së shtetit të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë kujtuar Afrim Bunjakun duke vlerësuar lartë heroizmin e tij për Kosovën.
Ndërkombëtarët kërkuan drejtësi për Afrim Bunjakun dhe sulmin në Banjskë
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka kujtuar sot sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një deklaratë publike, ambasada britanike shpreh dhimbjen për humbjen e Bunjakut dhe nderon profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës në rimëkëmbjen e rendit dhe sigurisë gjatë asaj dite tragjike, transmeton lajmi.net.
“Ne vazhdojmë të vajtojmë humbjen e zyrtarit të policisë Afrim Bunjaku gjatë sulmit,” thuhet në deklaratë. “Ne i bëjmë nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e durueshme në ndërtimin e aktakuzës.”
Ambasada britanike thekson se, edhe dy vite pas sulmit, autorët nuk janë sjellë para drejtësisë. Mes tyre përmendet edhe Milan Radoiçiq, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë arrestuar dhe sjellë para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë që autoritetet serbe të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur,” përfundon deklarata.
Drejtësi për sulmin në Banjskë, ka kërkuar edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Ambasada ka shprehur shqetësimin për mungesën e drejtësisë, dy vite pas ngjarjes, transmeton lajmi.net.
“Kanë kaluar dy vite që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë dhe megjithatë, udhëheqësi i vetëdeklaruar i sulmit, Milan Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi,” thuhet në reagimin zyrtar.
Ambasada kujton edhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe nënvizon se, pavarësisht premtimeve të shumta për vënien e autorëve para drejtësisë, asnjë përgjegjës nuk është ndëshkuar deri më sot.
“Kjo pandëshkueshmëri e qartë është e papranueshme. Është e domosdoshme që drejtësia dhe llogaridhënia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejme,” thekson ambasada.
Nga shtetet e QUINT-it, edhe Franca ka shprehur ngushëllime për familjen e rreshterit Bunjaku dhe ka theksuar rëndësinë e sjelljes para drejtësisë të atyre që qëndrojnë pas sulmit, transmeton lajmi.net.
“Dy vite pas sulmit kriminal në #Banjska, që mori jetën e rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para #drejtësisë”, thuhet në reagim.
Në akademinë përkujtimore të organizuar nga Policia e Kosovës në nderim të Afrim Bunjakut, sot ka marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Përmes një postimi zyrtar, Ambasada e SHBA-së njoftoi se pjesëmarrja në këtë ceremoni është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, sigurinë dhe institucionet e Kosovës, transmeton lajmi.net.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati iu bashkua liderëve institucionalë të Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës dy vite më parë gjatë sulmit në Banjskë,” thuhet në njoftim.
Ambasada e Italisë në Kosovë ka kërkuar që autorët e sulmit në Banjskë të përgjigjen për krimet e tyre.
“Janë bërë dy vjet nga sulmi kriminal në Banjskë dhe nga vrasja tragjike e rreshterit policor Afrim Bunjaku. Drejtësia duhet të triumfojë, autorët duhet të përgjigjen për krimet e tyre”, thuhet në reagim.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka ritheksuar thirrjet e BE-së për llogaridhënie të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Zëvendësshefja e Misionit EULEX-it, Emily Rakhorst, mori pjesë në akademinë përkujtimore të organizuar në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë atij sulmi.
“Sot, Zëvendësshefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, pati nderin t’i bashkohet komemoracionit solemn për nder të Rreshterit të rënë të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i vrarë në krye të detyrës dy vite më parë. Ne i theksojmë thirrjet e BE-së për llogaridhënien e përgjegjësve të kryerjes së këtij sulmi!”, thuhet në postimin e EULEX-it në Facebook.
Çfarë ndodhi më 24 tetor 2023 në Banjskë?
Dy vjet më parë, një grup terroristësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër, në një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit. Asokohe, sulmi u dënua nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët, duke bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë.
I gjithë rasti ndodhi pasi në hyrje të fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke e bllokuar hyrjen përmes urës në atë vend. Aty patrulla policore që pa barrikadën njoftoi kolegët tjerë në bazë, e që mesin e zyrtarëve që iu bashkuan kolegëve në vendngjarje ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës.
Pas këtij rasti, kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë. Po atë ditë, u mbyllën pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, të cilat qëndruan të mbyllura për disa ditë. Më pas, Policia njoftoi se tre nga sulmuesit janë vrarë, pasi zyrtarët policorë janë detyruar t’i kundërpërgjigjen sulmeve që po vazhdonin nga grupi terrorist, ndërsa u bë e ditur se sulmuesit po e shfrytëzojnë hapësirën në dhe rreth Manastirit të Banjskës për strehim dhe gjuajtje ndaj Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ndër të parët që reaguan dhe e dënuan ashpër sulmin në Banjskë, ishte Ambasada Amerikane, duke kërkuar që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë. Këtë kërkesë e përsëritën edhe UNMIK, OSBE, KFOR, EULEX, Gjermania, Britania, Italia, Zyra e Bashkimit Evropian, Austria, Kroacia, Turqia, e të tjerë.
Dita e hënë (25 shtatori 2023) u shpall ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, të cilit presidentja e vendit ia ndau urdhrin postmortum “Hero i kombit”. Rreshteri u varros me nderime të larta.
Një ditë pas sulmit, u bë prezantimi i arsenalit të armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike që Policia e Kosovës i konfiskoi në Banjskë të Zveçanit. Armë e pajisje ushtarake, u sekuestruan edhe ditëve në vazhdim në veri, ku u kryen bastisje në disa lokacione.
Ministri tash në detyrë, Xhelal Sveçla në konferencën për media të organizuar në lidhje me zhvillimet në veri, kishte thënë se janë gjetur edhe dokumente të kriminelit Millan Radoiçiq, që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë sulm. Tre të pandehurit që u arrestuan ditën kritike u dërguan në paraburgim, masë nën të cilën vazhdojnë të jenë ende.
Sveçla, dy ditë pas sulmit, ka publikuar pamje të Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili është edhe pjesë e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, teksa shihet në Manastirin e Banjskës bashkë me sulmuesit tjerë. Ndaj tij, më 7 dhjetor 2023 u bë e ditur se INTERPOL ka lëshuar fletarrest, por se ende vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Më 28 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë që dënon sulmin në Banjskë. Rezolutë që dënon këtë sulm miratoi edhe Parlamenti Evropian më 19 tetor 2023. E kreu i grupit kriminal, Milan Radoiçiq më 29 shtator mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Krerët e shtetit dhe ata të institucioneve të sigurisë, patën thënë se plani i grupit terrorist ishte aneksimi i veriut, ndërsa u bë thirrje që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë sulm.
Rasti “Banjska” më 19 tetor 2023 u shënjestrua nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për “Shpëlarje të parave” e vepra tjera penale. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me asistimin e Policisë së Kosovës, më 19 dhjetor 2023, e mori nën kontroll kompleksin “Rajska Banja” në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku thuhet se u strehuan disa nga anëtarët e grupit kriminal.
Aktakuza u ngrit më 11 shtator 2024, 13 ditë para përvjetorit të parë të sulmit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë. Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht “Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Millan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Aktakuza në rastin “Banjska” u mirëprit nga vendorët e ndërkombëtarët, të cilët presin të shohin se si do të zhvillohet gjykimi në këtë rast.
Ndërkohë seanca e fundit për këtë rast u mbajtë më 24 korrik 2025. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24ështatoritë2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Prokurori special Naim Abazi propozoi që seanca të mbyllet, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq, është e ndjeshme dhe përfshihen informacione në çështjen e sigurisë kombëtare, strukturave paralele dhe organizimeve të tyre ilegale në veri të vendit.
Sipas tij, meqenëse dëshmia e dëshmitarit lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me strukturat e dyshuara ilegale, përfshinë elemente që mund të dërgojnë në identifikimin edhe të familjes së dëshmitarit, nëse kjo dëshmi jepet në prani të publikut dhe mediave.
Abazi tha se propozimi i tyre bazohet në dispozitat e nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale. Mbrojtësi i Spasojeviqit, avokati Lubmir Pantoviq, tha se ia lë gjykatës në diskrecion vendimin për çështjen e mbylljes së seancës.
Dëshmitari Velko Iliq tha se nuk është mirë me shëndet dhe se për këtë ka edhe dokumente, të cilat ia ka dorëzuar prokurorit. Andaj, tha se nuk mund të qëndrojë gjatë në seancë.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se sipas propozimit të prokurorit dhe marrjes së mendimit nga palët në procedurë, aprovohet propozimi për mbylljen e seancës. Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2.
Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale.
Ndërkaq, më 22 korrik u dëgjuan dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq. Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpërmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale. Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Millan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. /Lajmi.net/