Dy ura të reja mbi Ibër, zgjidhje apo e pamundur? – Njohësit e sigurisë thonë se veprimi i Qeverisë zbeh besimin e BE-së

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar para një jave një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër. Kështu u tha të paktën në njoftimin e MMPHI-së, më 18.06.2025, ku theksohet se ky projekt ka për qëllim të…

Lajme

24/06/2025 19:03

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar para një jave një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

Kështu u tha të paktën në njoftimin e MMPHI-së, më 18.06.2025, ku theksohet se ky projekt ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe të shërbejë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Planet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicën e ndarë, shkaktuan reagime të ashpra në mesin e serbëve lokalë, të cilët e shohin këtë veprim si provokim politik dhe jo si mjet për lidhjen e komuniteteve.

Por si e shohin njohësit e sigurisë në Kosovë këtë projekt të Qeverisë, lajmi.net ka kontaktuar me Drizan Shalën dhe Bedri Elezin.

Shala për lajmi.net fillimisht tha se projekti i dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria Kurti duhet parë në një kontekst më të gjerë të dështimit të integrimit funksional, kufizimeve që vijnë nga marrëveshjet e Brukselit si dhe rrezikut të tensioneve ndërmjet komuniteteve në veri të Mitrovicës.

“Projekti i dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria Kurti duhet parë në një kontekst më të gjerë të:

-dështimit të integrimit funksional të Urës së Ibrit, që ka mbetur simbolikisht e hapur, por realisht jo funksionale për automjete,

-kufizimeve që vijnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe moszbatimit të plotë të tyre nga Serbia,

-rrezikut të tensioneve ndërmjet komuniteteve në veri të Mitrovicës dhe përpjekjeve të qeverisë për të marrë kontroll efektiv institucional”, u shpreh Shala.

Shala duke komentuar zhvillimet e fundit, tha se pjesë tjetër e kësaj çështje është edhe përkeqësim i marrëdhënieve ndëretnike.

“Ndërtimi i dy urave të reja mund të perceptohet nga serbët lokalë si një akt anashkalimi i marrëveshjeve ekzistuese, duke nxitur protesta, bllokada ose akte sabotuese”, tha ai.

Shala tha se ky veprim nga Qeveria mund të nxit strukturat paralele me pretekst për propagandë.

“Kjo mund të shfrytëzohet nga strukturat paralele dhe nga Qendra Operative Serbe në veri si pretekst për propagandë dhe aktivitete destabilizuese. ORID, CSINO, KOVSS mund të aktivizojnë rrjetet lokale në Zveçan, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut”, u shpreh ai.

Shala thotë se me këtë veprim do të ketë zbehje e besimit të BE-së në qëllimet e Qeverisë Kurti dhe se krijimi i zonave të reja sjell tensioni të ri urban dhe etnik.

“Veprimi mund të perceptohet si mospërfillje ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, duke dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog. Ndërtimi i infrastrukturës në zona të ndjeshme, pa parapërgatitje të komuniteteve dhe pa bashkërendim të plotë ndërkombëtar, mund të krijojë zona gri për ndërhyrje ilegale ose përplasje fizike dhe simbolike”, shtoi njohësi i sigurisë.

Pse BE po teston qëndrueshmërinë e urës?

Shala thotë se testimet e sotme që BE i bëri në urën e Ibrit janë teknikisht të rastësishme, madje të parandalojë ndërtimin e urave të reja përmes përmirësimit të asaj ekzistuese.

Pikat që Shala përmendi për Lajmi.net:

Testimi i qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit nuk është teknikisht i rastësishëm. Ai është politikisht i motivuar, me qëllime të mundshme:

Të vlerësojë mundësinë e hapjes së urës për qarkullim të kontrolluar, si pjesë e një zgjidhjeje kompromisi;

Të parandalojë ndërtimin e urave të reja** përmes përmirësimit të asaj ekzistuese;

Të matë reagimin e komuniteteve dhe faktorëve lokalë ndaj një hapjeje potenciale të urës ekzistuese;

Të ruajë kontrollin ndërkombëtar ndaj çështjes dhe të mos lejojë zhvillime unilaterale të Prishtinës.

Edhe Elezi për lajmi.net thotë se projekti i ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria e Kosovës, në vend të hapjes së Ures së Ibrit për automjete, paraqet një zhvillim kompleks.

“Projekti i ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria e Kosovës, në vend të hapjes së Ures së Ibrit për automjete, paraqet një zhvillim kompleks që ka dimensione teknike, politike dhe të sigurisë, madje mund të krijohen edhe kushte të reja josigurie”, tha Elezi.

Shmangia e urës ekzistuese si simbol i status quo-së në veri:

“Ura ekzistuese mbi lumin Ibër ka qenë simbol i ndarjes dhe tensioneve ndëretnike në Mitrovicë dhe njeri ndër problemet kryesore për programet integruese të Kosoves, madje Kosova është sanksionuar pikërisht për këto probleme Duke anashkaluar hapjen e urës aktuale, krijohet perceptimi se Qeveria po e pranon ndarjen funksionale të qytetit – që mund të interpretohet si koncesion de facto ndaj strukturave paralele serbe”, tha ai.

Elezi tutje tha se ndërtimi i urave të reja pa konsensus ndërkombëtar pa një koordinim të qartë me SHBA-t, BE-në dhe KFOR-in, ndërtimi i urave mund të shihet si lëvizje e njëanshme, që rrit ndjeshmërinë e komunitetit serb në veri dhe mund të shkaktojë provokime apo tensione të reja.

Rrezik i ndarjes më të thelluar urbane:

“Nëse urat e reja përdoren për të rritur infrastrukturën vetëm në jug, pa përfshirë veriun, krijohet një ndarje më e thellë fizike dhe psikologjike e qytetit. Qeveria po mendon se dy ura të reja mund të ofrojnë zgjidhje funksionale për qarkullimin urban dhe ekonomik, pa ndezur tensione politike me hapjen e urës ekzistuese, por ne mendojmë se këto zhvillime vetem se mund të angazhojnë sërbet lokal për të konsideruar këtë si një përpjeke për të kundertën e qellimit të prezentuar”, tha Elezi për lajmi.net.

Pse BE-ja po teston qëndrueshmërinë e urës ekzistuese sot?

“Kjo mund të vlersohet si përgatitje për vendime politike. Matjet teknike që po bën BE-ja mund të jenë në funksion të një vendimi politik afatshkurtër, për të hapur apo jo Urën e Ibrit për qarkullim të automjeteve. BE-ja dëshiron të dijë nëse ura është strukturalisht e sigurt dhe nëse mund të mbajë trafikun që do të vijë në rast hapjeje – një justifikim teknik që mund të përdoret për vonesa ose vendime politike Testimi i urës mund të jetë pjesë e trysnisë diplomatike që po bëhet ndaj palëve për të ulur tensionet dhe për të zhvendosur vëmendjen nga konfrontimi tek normalizimi i qarkullimit”, tha Elezi.

Për fund njohësi i sigurisë u shpreh se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është përpjekje për zhvillim urban dhe shmangie e përplasjes në veri, por nëse bëhet pa koordinim ndërkombëtar, rrezikon të thellojë ndarjen e qytetit.

“Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është përpjekje për zhvillim urban dhe shmangie e përplasjes në veri, por nëse bëhet pa koordinim ndërkombëtar, rrezikon të thellojë ndarjen e qytetit dhe të prodhojë tensione të reja. Testimi që po bën BE-ja mbi urën ekzistuese tregon se vendimet e ardhshme nuk do të jenë thjesht teknike, por thellësisht politike”, tregoi ai.

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i nënshtrohet aktualisht testimeve dhe inspektimeve teknike nga ekspertët e Bashkimit Evropian.

Krahas saj, po testohen edhe strukturat përreth urës, me qëllim vlerësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së saj.

Matje e inspektime këtu janë bërë edhe vitin e kaluar, nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë.

Ato u kryen në kohën kur ishin shtuar pretendimet për një hapje të mundshme të urës, edhe për automjete.

Pavarësisht kësaj, ajo nuk u hap.

Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim për makina që nga lufta e këndej./Lajmi.net/