Dy të vdekur e një i lënduar në rrugën Mitrovicë-Pejë
Në magjistralen Mitrovicë-Pejë ka ndodhur një aksident i rëndë komunikacioni, ku dy persona kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra.

Lajme
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se aksidenti ka ndodhur tek “Çeshmja” e fshatit Broboniq.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar këtë lajm për Veriu.info, ku ka thënë se aksidenti ka ndodhur në mes të dy veturave civile, dhe si rrjedhojë kanë humbur jetën dy persona.
“Si pasojë e këtij aksidenti një femër ka mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një mashkull, që ishte në veturë me të, ka vdekur në spital nga pasojat e plagëve të marra”, thotë Zahiti, duke treguar se fëmija i cili ishte në veturë me këtë çift është duke u trajtuar në spital, pasi ka marrë plagë të rënda.
Ai tregon se aksidenti ka ndodhur pasi vetura e viktimave është përplasur me një furgon, mirëpo personat që ishin në furgon kanë shpëtuar pa lëndime.