Dy të plagosurit në Doganaj në gjendje stabile

Dy të plagosurit në fshatin Doganaj, një prej tyre zyrtar policor, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Drejtori i emergjencës në QKUK Naser Syla deklaroi për KosovaPress se gjendja e të plagosurve është stabile. “Dy të lënduar me plagë sklopetare janë pranuar dhe trajtuar në qendrën emergjente, pas ekzaminimeve të…

Lajme

21/07/2025 16:18

Dy të plagosurit në fshatin Doganaj, një prej tyre zyrtar policor, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Drejtori i emergjencës në QKUK Naser Syla deklaroi për KosovaPress se gjendja e të plagosurve është stabile.

“Dy të lënduar me plagë sklopetare janë pranuar dhe trajtuar në qendrën emergjente, pas ekzaminimeve të kryera dhe konsultave të nevojshme ata janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm, njëri në klinikën e kirurgjisë torakale dhe tjetri në klinikën e kirurgjisë ortopedike. Gjendja e tyre është stabile”, deklaroi ai.

Pas plagosjes së dy personave në fshatin Doganaj, katër persona janë ndaluar të hënën, për shkak të dyshimit “vrasje në tentativë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, katër (4) persona të dyshuar me inicialet: A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Vrasja në tentativë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Pjesëmarrja në rrahje’”, thuhet në njoftim

Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti.