Dy shtetase të huaja humbën maleve të Sharrit- policia njofton se u gjetën falë angazhimit të kërkim-shpëtimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arritur që dy shtetase të huaja të shpëtohen në Bjeshkët e Sharrit, pas një operacioni të kërkim-shpëtimit. Dje rreth orës 8 të mëngjesit, dy shtetase të huaja të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit. Gjatë rrugëtimit…

Lajme

22/05/2025 08:52

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arritur që dy shtetase të huaja të shpëtohen në Bjeshkët e Sharrit, pas një operacioni të kërkim-shpëtimit.

Dje rreth orës 8 të mëngjesit, dy shtetase të huaja të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit.

Gjatë rrugëtimit të tyre, për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur, ato kanë humbur rrugën.

Policia Rajonale e Ferizaj, respektivisht Stacioni Policor në Shtërpcë ka pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre. Përmes një audio incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej.

“Menjëherë, Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke aktivizuar njësitë relevante dhe duke kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës. Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, më 22.05.2025, rreth orës 03:00, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë”,thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu u bë e ditur se ato janë transportuar menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre.

“Policia Rajonale e Ferizajt shpreh falënderim të thellë për angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha strukturave të përfshira në këtë operacion, në veçanti Shërbimin e Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, njësitë policore të të gjitha niveleve, qytetarët dhe të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen dhe shpëtimin e suksesshëm të dy alpinisteve”./Lajmi.net/