Dy seancat e zhurmshme të Kuvendit dhe mos shkarkimi i Dardan Gashit
Kuvendi i Kosovës sot mbajti dy seanca dhe në shqyrtim ishin plotë 19 pika.

Lajme
Seanca e Kuvendit ka filluar me betimin e deputetëve të rijnë Shemsi Syla dhe Sali Zyba, të cilët hynë në vend të Mytaher Haskukës dhe Qëndron Kastratit. Për të vazhduar me debatin lidhur me rastin e të shtënave më armë nga zëvendëskryeministri i Kosovës.
Në këtë rast pozitë e opozitë nuk lanë pa komentuar për ngjarjen disa në mbrojtje e disa në kundërshtim të zëvendëskryeministrit Gashi.
Në seancë u pa ndryshimi i deklaratave të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili u tërhoq paksa nga ‘Kanuni’, derisa tha se duhet punuar në kultivimin e traditave, të cilat nuk e rrezikojnë jetën e askujt
Ndërkohë komentet më qesharake i dha Glauk Konjufca duke i bërë të gjithë kolegët në sallë të qeshin. E kjo e bëri kryeministrin të reagoj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu përgjigjur deputetit Glauk Konjufca për gjuajtjen e ministrit me armë, ka thënë se tradita e gjuajtjes me armë te shqiptarët ekziston që prej se mban mend veten
“Nëse unë në Gllogjan ose ti në Sllovi, në familje tënde, e ke vendosur ta përdorësh një mjet të caktuar, nëse e ke dakordimin e atyre aty nuk e di kë e ka rrezikuar, ndërsa, nëse unë e përdori këtë ujë, nëse unë nuk e kam dakordimin e këtyre tjerëve, dallon situata… ta mbajmë një korrektësi, tradita e gjuajtjes me armë te shqiptarët ekziston që prej e mbaj mend veten, kushdo që është këtu nuk jam i bindur që kushdo që ka qenë këtu ka qenë një situatë”, tha ai.
Haradinaj i bëri thirrje që t’i ruajnë argumentet ose të futen në luftë politike.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Glauk Konjufcës.
“Kryeministër nuk e di sa e njeh Dardan Gashin por nëse Dardan Gashi ia merr armën dikujt nga brezi dhe del në dritare e gjuan pa terezi, a beson që duhet të evakuohet krejt popullata prej një kilometri aty pari, ky është halli im, domethënë unë besoj që ju tjerët dini me gjuajt mirë por ai as armën e vet aty nuk e ka pas“, tha ai.
E në kundërshtim të deputetëve të VV’së doli edhe Bilall Sherifi nga Nisma, i cili u tha atyre se nuk kanë të drejtë të shesin moral, pas asaj që ka dalë në publik javëve të fundit. Duke iu referuar “barit” dhe ngacmimeve seksuale të VV’së.
Mënyra e komentimit të ngjarjes nga ana e deputetëve të VV’së dhe LDK’së nuk i pëlqeu as atij për të cilin u hodhën plumbat në ajër nga Dardan Gashi. Fatmir Limaj iu tha deputetëve se drejtësia duhet ta gjykoj këtë rast e jo ata.
Të njëjtin mendim me të e ndau edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili ka thënë se debati që u bë në Kuvend, është përzierje në sistemin e drejtësisë.
Por mocioni i LDK’së për ta shkarkuar zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, i cili kohë më parë kishte gjuajtur me armë në odën e Fatmir Limajt në Malishevë, nuk kaloi.
Ndonëse në Kuvend ishin të pranishëm 88 deputetë, pro kanë votuar 36 prej tyre, kundër 39 dhe kanë abstenuar 3.
Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me 45 vota për, asnjë kundër dhe 16 abstenime.
Pagat e larta në Trustin Pensional të Kosovës, ishte temë debati në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u miratua kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018.
Diskutimi i deputetëve ishte i fokusuar në pagat e mëdha që marrin drejtori dhe bordi i Trustit Pensional të Kosovës. Duke kërkuar uljen e këtyre pagave të cilat sipas tyre janë në disproporcion me pagën mesatare minimale në vend dhe gjendjen ekonomike.
Në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës zgjodhi Naile Alaj zëvendës avokate të popullit dhe katër zëvendës avokatë të Popullit të tjerë.