Dy palët ishin të armatosura- Detaje të reja nga tragjedia në Malishevë ku u vranë dy vëllezër
Policia e Kosovës ka ofruar detaje të reja lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës, që ndodhi dje, më datë 06.11.2025. Fokusi i hetimeve tashmë është drejtuar te arrestimi i të dyshuarit, transmeton lajmi.net. Arrestimi i të dyshuarit me plagë Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25…
Lajme
Policia e Kosovës ka ofruar detaje të reja lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës, që ndodhi dje, më datë 06.11.2025.
Fokusi i hetimeve tashmë është drejtuar te arrestimi i të dyshuarit, transmeton lajmi.net.
Arrestimi i të dyshuarit me plagë
Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25 të mëngjesit, Policia ka arritur të arrestojë personin e dyshuar Astrit Isufi (1983), mashkull kosovar, në fshatin Pllaqicë.
Pas arrestimit, i dyshuari ka kërkuar trajtim mjekësor, pasi u konstatua se kishte plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit, dhe është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor.
Ai gjatë kohës në arrati ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar.
Sekuestrohen dy armë zjarri në vendin e ngjarjes
Policia ka konfirmuar gjithashtu se, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dje, ku u vranë dy viktimat (vëllezër), janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri.
Ky detaj sugjeron se dy palët e përfshira kanë qenë të armatosura gjatë ngjarjes tragjike.
Rasti i dyfishtë i vrasjes, ku humbën jetën dy persona të gjinisë mashkullore, vijon të hetohet në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.
Raporti i plotë nga Policia e Kosovës:
Dje më datë 06.11.2025, rreth orës 11:30, jemi njoftuar për rastin vrasje në fshatin Gollubovc të Malishevës ku viktimat e rastit ishin dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër). Njësitë e nevojshme policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë ekzaminimit, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit. Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor. Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.
Viktimat në rast ishin vëllezërit Driton dhe Naim Morina- kurse dorasi dhëndër i familjes, Astrit Isufi./Lajmi.net/