Dy femra nga Shqipëria grabiten në Ferizaj, hajnat ua vjedhin 5 mijë euro

Policia e Kosovës, Rajoni i Ferizajt, ka njoftuar për një operacion të suksesshëm ku kanë arritur të prangosin dy persona të dyshuar për vjedhje ndaj dy femrave, shtetase të Shqipërisë

Lajme

10/10/2016 10:14

Dy viktimat, punëtore të një lokali në Ferizaj, pas përfundimit të orarit të punës, duke shkuar në banesën e tyre janë grabitur me forcë nga dy persona rreth orës 00:30 në rrugën “12 qershori” në Ferizaj, transmeton lajmi.net

Të dyshuarit, B.G. 21 vjeç dhe V.G. 16 vjeçar, kanë sulmuar fizikisht femrat dhe më pas ua kanë marrë me forcë çantat e krahut në të cilat viktimat kishin dokumentet personale dhe rreth 5 mijë euro.

Pas hetimeve në terren, Policia ka arritur t’i arrestoj të dy gjatë ditës së djeshme dhe tek i dyshuari B.G. janë gjetur dhe konfiskuar 2750 euro, një orë dore dhe një bateri.

Të dyshuarit në prezencë të avokatëve dhe punëtorit për punë sociale kanë pranuar në tërësi veprën e kryer dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit B.G. është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa ndaj të miturin V.G. ndalim policor për 24 orë.