Dy biznesmenët e karburanteve, 5 milionë dollarë evazion fiskal

Dy persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim me akuzën se kanë shmangur tatimet në vlerën e 5 milionë dollarëve në një kompani karburantesh nga viti 2014 e në vazhdim.

Lajme

01/11/2015 09:24

Burimet zyrtare kanë thënë se me kërkesë të Task-Forcës së Prokurorisë Tiranë, pas një hetimi të përbashkët me sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, gjykata ka vendosur masën e sigurisë për 5 persona.

Ata janë drejtues dhe përfaqësues të kompanisë së naftës “FULLPET”, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi financiar, duke iu shmangur pagesës së detyrimeve ndaj shtetit në vlerën e rreth 500 milionë lekëve të rinj.

Hetimi për këtë çështje mësohet se ka nisur në prill 2015, në bazë të informacionit të mbërritur dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve.

HETIMI

Prokuroria bëri me dije dje se nga hetimi ka rezultuar se shtetasit shqiptarë Aurel Preni, Fiqiri Hoxha dhe i kërkuari F.G., dhe shtetasit e huaj, me iniciale I.A. dhe E.O., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke filluar nga viti 2012, kanë kryer veprime të ndryshme financiare për të shmangur detyrimin ndaj organeve tatimore.

Në vitin 2014, Tatimet kanë konstatuar debinë e kompanisë “Fullpet” në vlerën e rreth 145 milionë lekëve për vitin 2012, (ndërkohë që ky detyrim deri në vitin 2015 është trefishuar).

Për shlyerjen e kësaj debie (të vitit 2012), ndërmjet Drejtorisë së Tatimeve dhe kompanisë “Fullpet” është nënshkruar një aktmarrëveshje, në bazë të të cilës kompania merrte përsipër shlyerjen e detyrimit me 8 këste. Për të shlyer këtë detyrim, kompania “Fullpet” ka marrë kredi në një bankë të nivelit të dytë.

Nga hetimi ka rezultuar se kredia e marrë nuk ka shërbyer për shlyerjen e detyrimeve tatimore, por është përdorur për krijimin e kompanive të reja dhe blerjen e aseteve për këto kompani. Këto blerje kanë rezultuar se janë tentativë e qartë për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.

AKUZAT

Sipas Prokurorisë, mësohet se në mënyrë të përmbledhur nga ana e hetimit konstatohen elementët e veprës penale të “fshehjes së të ardhurave”, dhe “mospagim të taksave”, pasi shoqëria “FULLPET” për periudhën dhjetor 2012-dhjetor 2013, ka ushtruar aktivitet, duke iu shmangur detyrimeve.

“Nga kontrolli i ushtruar te kjo shoqëri janë konstatuar diferenca të konsiderueshme të padeklaruara nga shoqëria në shumën e 485.045.544 (katërqind e tetëdhjetë e pesë milionë e dyzet e pesë mijë e pesëqind e dyzetekatër) lekëve”, thekson prokuroria.

Sipas saj, administratori Aurel Preni ka shkelur respektuar akt-marrëveshjen me Tatimet për shlyerjen e borxhit prej 143.378.552 lekësh. Sipas akuzës, shumën prej 88.158.170,00, e cila i përket shitjes së aseteve, shoqëria “FULLPET”, me administrator Aurel Preni, me një kontratë “ndihmë financiare”, ia ka kaluar Fabian Goçit (faturist sipas listpagesës) në të njëjtën ditë me akt-marrëveshjen.

Nga ana tjetër, me asetet e shoqërisë “FULLPET” është krijuar shoqëria tjetër “A.K.F. PETROLEUM”, me administrator Fiqiri Hoxhën, i cili ishtë punonjës i shoqërisë “FULLPET” (shitës karburanti sipas listpagesës).

Kjo shoqëri filloi aktivitet në momentin kur ndaj shoqërisë “FULLPET” u morën masat shtrënguese nga Tatimet për shlyerjen e detyrimeve, duke përdorur fatura tatimore fiktive dhe arritën të shmangnin bllokimin e aseteve dhe më pas tjetërsimin e tyre.