Dy aksidente brenda pak minutash në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar në njërin rast

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur këtë të diel në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku njëri prej tyre ka përfunduar me shtatë persona të lënduar. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se aksidentet kanë ndodhur në segmentin e autostradës në drejtim të Shqipërisë. Sipas…

Lajme

02/08/2026 13:18

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur këtë të diel në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku njëri prej tyre ka përfunduar me shtatë persona të lënduar.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se aksidentet kanë ndodhur në segmentin e autostradës në drejtim të Shqipërisë.

Sipas tij, në aksidentin e parë janë përfshirë tri automjete, ndërsa si pasojë e përplasjes shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

“Në autostradë për Shqipëri kanë ndodhur dy aksidente. Në njërin aksident janë të përfshira tri automjete dhe lëndime kanë pësuar shtatë persona”, ka deklaruar Krasniqi për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se rreth 500 metra më tej ka ndodhur edhe një aksident tjetër, ku janë përfshirë dy automjete, por në këtë rast nuk ka persona të lënduar.

“Në aksidentin tjetër (500 metra më larg) janë të përfshira dy automjete, në këtë aksident nuk ka persona të lënduar. Me aksidentet po merren njësitet e autostradës”, ka thënë Krasniqi.

Ekipet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rrethanave që kanë çuar deri te këto dy përplasje në një nga akset më të frekuentuara rrugore gjatë sezonit veror. /Lajmi.net/