“Duhet të jetë banor për së paku 3 vjet” – ja çfarë thotë Ligji për zgjedhjet lokale rreth kandidimit për kryetar komune

Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor të këtij viti, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit të cilat ende nuk kanë “prodhuar”, asgjë, pasi që konstituimi i Kuvendit ende nuk është bërë, për t’i hapur rrugë më pas edhe formimit të Qeverisë. Përgatitjet për zgjedhjet lokale vetëm se kanë filluar, e në këto…

Lajme

19/06/2025 16:49

Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor të këtij viti, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit të cilat ende nuk kanë “prodhuar”, asgjë, pasi që konstituimi i Kuvendit ende nuk është bërë, për t’i hapur rrugë më pas edhe formimit të Qeverisë.

Përgatitjet për zgjedhjet lokale vetëm se kanë filluar, e në këto përgatitje janë caktuar edhe emrat e kandidatëve për kryetar pothuajse në të gjitha komunat, emra këta të cilët nuk është se kanë qenë një surprizë, pasi që në shumicën e komunave ku partitë politike kanë udhëhequr kanë vazhduar kandidimin me të njëjtët emra të kryetarëve.

Jo shumë i pritshëm ka dal të jetë kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku i cili në realitet ka prejardhje nga qyteti i Prizrenit e madje kurrë s’u tha se prej kur jeton në Prishtinë.

E pikëpyetje të shumta u ngritën në publik pikërisht për faktin se sa në fakt Çeku i njeh problematikat e Prishtinës, e të qytetarëve të saj.

Partitë politike thuajse kanë zyrtarizuar gjithë emrat kandidues, e në Prishtinë mozaiku kandidues tanimë po afrohet në fund. Vetëm PDK nuk ka zyrtarizuar ende emrin e kandidatit, edhe pse i përmendur vazhdon të mbetet Uran Ismaili.

Por si parashihet sipas ligjit që kandidati për Kryetar të Prishtinës ta ketë vendbanimin?

I pyetur rreth kësaj çështje, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për lajmi.net, ka thënë se kërkesa për të qenë së paku 3 vite banor i komunës është kërkesë nga Ligji për Zgjedhjet Lokale.

“Përveç kushteve që kërkohet të plotësohen sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 9, paragrafin 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale kërkohet që kandidati për Kryetar të Komunës të ketë qenë për së paku 3 vite banor i komunës në të cilin ai/ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës”, ka thënë Elezi.

Ndryshe siç parashihet sipas Nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai/ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.

Tutje Elezi ka thënë se për të gjitha këto kufizime apo kushte, KQZ do të kërkojë verifikimin e kandidatëve nga institucione të ndryshme shtetërore.

Po ashtu tashmë është bërë e ditur se afati për aplikim të subjekteve politike do të zgjasë 49 ditë, duke filluar nga 26 qershori deri më 13 gusht 2025. Kjo sipas Elezit, është në vullnetin e subjekteve politike që të vendosin për numrin e komunave në të cilat do të garojnë.

“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune dhe për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, ka theksuar Elezi.

Pas takimit me të gjitha partitë politike që pati javë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale.

Në komunën e Prishtinës tashmë katër prej kandidatëve veçse janë zyrtarizuar nga partitë e tyre: Hajrulla Çeku LVV, Përparim Rama LDK, Bekë Berisha AAK dhe Besa Shahini , derisa nga radhët e PDK-së, emri më i lakuar aktualisht është ai i Uran Ismailit.

Ngjashëm emrat janë zyrtarizuar edhe në shumë komuna të tjera nga partitë politike.

Por çfarë thotë ligji 9 paragrafi 2, lidhur me zgjedhjet lokale?

Sipas këtij ligji neni 9 paragrafi 2, thotë se kandidati për kryetar të komunës duhet të ketë qenë për së paku 3 vjet banor i komunës, në të cilën ai/ajo kërkon të garojë.

“Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës.

9.3 Kandidati i subjektit të certifikuar politik për pozitë të Kryetarit të Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje tjera siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur. Nëse zgjidhet si Kryetar Komune, kandidati nuk do të këtë të drejtë të mbajë vendin në Kuvendin e Kosovës apo Kuvendin e Komunës”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje Lokale.

Ndërkaq në këto zgjedhje qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë në 38 komuna të Kosovës, teksa tashmë partitë kanë filluar t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre pothuajse në të gjitha qytetet. /Lajmi.net/