Duda Balje reagon pas vendimit të Supremes për motrën e Donika Kadaj-Bujupit: U ndalua manipulimi me vendet e rezervuara për boshnjakët
Kandidatja boshnjake për deputete nga “Socijaldemokratske unije (SDU)”, Duda Balje, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar ankesën e Koalicionit Vakat lidhur me certifikimin e kandidates për deputete Ena Krasniqi në kuotën e rezervuar për komunitetin boshnjak. Balje e ka cilësuar vendimin si një fitore për mbrojtjen e përfaqësimit autentik të…
Lajme
Kandidatja boshnjake për deputete nga “Socijaldemokratske unije (SDU)”, Duda Balje, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar ankesën e Koalicionit Vakat lidhur me certifikimin e kandidates për deputete Ena Krasniqi në kuotën e rezervuar për komunitetin boshnjak.
Balje e ka cilësuar vendimin si një fitore për mbrojtjen e përfaqësimit autentik të boshnjakëve në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se “një tjetër përpjekje për manipulim politik me mandatin e rezervuar për boshnjakët ka dështuar”, transmeton lajmi.net.
Ajo ka rikujtuar se Koalicioni Vakat ka pasur tentativa të ngjashme edhe në të kaluarën, përfshirë vitin 2021, kur sipas saj, Gjykata Supreme ua kishte anuluar votat në komunat me shumicë serbe. Balje ka falënderuar institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit në KQZ që, sipas saj, kontribuuan në parandalimin e këtij rasti.
Reagimi i Baljes vjen pasi Gjykata Supreme ka vërtetuar vendimin e PZAP-it, duke konstatuar se pretendimi për përfaqësim të një komuniteti vetëm mbi bazën e prejardhjes etnike nga njëri prind nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.
Në vendim thuhet se kandidatja Ena Krasniqi, e cila është motra e Donika Kadaj-Bujupit, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, nuk ka ofruar dëshmi konkrete për lidhje reale apo angazhim të vazhdueshëm me komunitetin boshnjak, duke e bërë pretendimin për përfaqësim “deklarativ dhe pa bazë faktike”.
Gjykata ka theksuar se moscertifikimi në këtë rast nuk përbën diskriminim, por zbatim të masave afirmative kushtetuese që synojnë mbrojtjen e përfaqësimit real të komuniteteve jo-shumicë.
Balje ka përfunduar reagimin e saj duke thënë se “këto vendime mbrojnë të gjitha komunitetet në Kosovë dhe sigurojnë një garë të drejtë për vendet e rezervuara”.
Postimi i plotë:
Të nderuar boshnjakë,
Pas dështimit të certifikimit të Ene Krasniqit në listën e Koalicionit Vakat si boshnjake nga ana e KQZ-së, si dhe refuzimit të saj edhe nga PZAP-i, sot është refuzuar edhe ankesa e Koalicionit Vakat nga Gjykata Supreme.
Përpjekja për një tjetër manipulim politik me mandatin e deputetit të rezervuar për boshnjakët në Kuvendin e Kosovës nga ana e Koalicionit Vakat nuk ka pasur sukses.
Nuk patën sukses as në vitin 2021, kur Gjykata Supreme ua anuloi votat në komunat me shumicë serbe, e nuk patën sukses as tani, duke insistuar në zonjën Krasniqi për vendin e rezervuar boshnjak.
Falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan për të parandaluar këtë lloj manipulimi politik, të shkaktuar ekskluzivisht nga interesa personale, i cili për fat të keq po përsëritet rregullisht nga Koalicioni Vakat.
Falënderojmë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në luftën tonë për të vërtetën – institucionet e shtetit tonë, përfaqësuesin e komunitetit turk në KQZ, përfaqësuesin e NDS-it, si dhe të gjithë njerëzit e mirë.
Me këto veprime po i mbrojmë të gjitha komunitetet në Kosovë dhe po kontribuojmë në një garë të drejtë dhe të ndershme për vendet e rezervuara.
Sinqerisht shpresojmë që Koalicioni Vakat, pas përpjekjes së dytë të dështuar për të cenuar vendet e rezervuara për boshnjakët, të ketë nxjerrë mësim – nuk është e lehtë, sepse ne jemi këtu për t’i mbrojtur!/lajmi.net/