​Dúbravka frikësohet nga Kosova: S’është si dikur, ka lojtarë interesantë dhe pëson pak gola

Përfaqësuesen e futbollit të Sllovakisë e pret sonte një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë e vështirë e barazhit kundër Kosovës dhe, në rast suksesi, një përballje vendimtare për një vend në Kupën e Botës 2026 në Kanada, SHBA dhe Meksikë. Portieri Martin Dúbravka është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë ndoshta shansi i…

Sport

26/03/2026 12:07

Përfaqësuesen e futbollit të Sllovakisë e pret sonte një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë e vështirë e barazhit kundër Kosovës dhe, në rast suksesi, një përballje vendimtare për një vend në Kupën e Botës 2026 në Kanada, SHBA dhe Meksikë.

Portieri Martin Dúbravka është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë ndoshta shansi i tij i fundit, për shkak të moshës (është 37 vjeçar) prandaj është i vendosur që së bashku me bashkëlojtarët të japin maksimumin.

“Po plakem,” u përgjigj me buzëqeshje portieri nga Žilina kur u pyet për shansin e fundit për të marrë pjesë në Kupën e Botës. “Prandaj kjo është një nga mundësitë e fundit për të qenë pjesë e një eventi kaq të bukur. Natyrisht, kjo është një motivim shtesë për ne që të luftojmë për rezultatet më të mira. E dimë sa e rëndësishme është ndeshja që na pret”.

Dubravka tha se ai dhe bashkëlojtarët do të bëjnë maksimumin kundër Kosovës.

“Për ne më të vjetrit është një motivim shtesë,” theksoi ai, që foli më pas pas edhe për cilësinë e kundërshtarit nga Kosova, kombëtare kjo për të cilën tha se ka disa emra të njohur dhe një vlerë tregu më të lartë se përfaqësuesja sllovake.

“E shoh këtë si fakt. Kur shikojmë përbërjen e tyre, kanë lojtarë interesantë që luajnë në klube dhe liga të rëndësishme. Duhet të kemi parasysh se në katër apo pesë ndeshjet e fundit kanë pësuar shumë pak gola, çka tregon diçka, por unë gjithmonë them se gjithçka varet nga ne” tha ai, raporton portali sport.sk, përcjellë KosovaPress. “Luajmë në shtëpi dhe, sipas asaj që kemi dëgjuar, stadiumi do të jetë i mbushur me tifozët tanë, prandaj besoj se kjo do të ndikojë dhe së bashku do ta përballojmë”.

Lojtari i Burnleyt në Angli shtoi se nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari.

“Nëse publiku mendon se është një kundërshtar i lehtë, por duhet harruar e kaluara kur Kosova nuk ishte aq konkurruese. Kjo i përket së shkuarës, sepse lojtarët e tyre janë të pjekur dhe fizikisht të fortë. Nuk do të nënvlerësojmë asgjë”, tha ai. “Gjithmonë përpiqem ta kthej fokusin te ne, sepse kemi luftuar gjithmonë me zemër për vendin tonë dhe kështu do të jetë edhe tani”.

Dúbravka ka luajtur me Sllovakinë në dy Kampionate Evropiane dhe konsiderohet një figurë e rëndësishme për futbollin e këtij shteti, por edhe në Premier League angleze. Megjithatë, pjesëmarrja në Kupën e Botës do të ishte diçka jashtëzakonisht e veçantë për të.

“Do të ishte një histori e bukur. Për mua, përfaqësimi i vendit është arritja më e madhe në çdo nivel dhe kështu e trajtoj. Kjo ndeshje është si një finale. E di sa e rëndësishme është për gjithë vendin tonë dhe si na kanë bashkuar ndeshjet me Belgjikën, Portugalinë, Gjermaninë… Duam t’u japim njerëzve në Sllovaki diçka në këmbim për mbështetjen e tyre,” u shpreh ai.

Për çdo futbollist është diçka e veçantë të përfaqësojë vendin e tij, por në një ndeshje vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës 2026 emocionet janë edhe më të mëdha.

“Ka pritje dhe përgjegjësi, por nga ana tjetër jam i lumtur. Të përfaqësosh Sllovakinë në një nivel të tillë, në një ndeshje kaq të rëndësishme – çdo sportist ëndërron momente të tilla. Nuk jam përjashtim. Mezi e pres këtë ndeshje,” përfundoi Dúbravka.