Dua Lipa zë vendin e George Clooney në reklamën e re të Nespresso

Nespresso ka prezantuar fytyrën e saj më të re: këngëtarja me famë botërore Dua Lipa. Prodhuesi zviceran i kapsulave të kafesë, që është pjesë e kompanisë Nestlé, e angazhoi atë në mes të muajit mars si ambasadore të re të markës, ndërsa tani ka nisur zyrtarisht fushatën e madhe promovuese me të. Së fundmi është publikuar edhe spot-i…

ShowBiz

15/04/2026 08:59

Nespresso ka prezantuar fytyrën e saj më të re: këngëtarja me famë botërore Dua Lipa. Prodhuesi zviceran i kapsulave të kafesë, që është pjesë e kompanisë Nestlé, e angazhoi atë në mes të muajit mars si ambasadore të re të markës, ndërsa tani ka nisur zyrtarisht fushatën e madhe promovuese me të.

Së fundmi është publikuar edhe spot-i i parë reklamues, me kohëzgjatje rreth 30 sekonda, ku Dua Lipa shfaqet duke provuar lloje të ndryshme të kafesë dhe duke udhëtuar simbolikisht në vende të ndryshme të botës. Reklama e çon atë në një “udhëtim” përmes kulturave dhe atmosferave të ndryshme, nga New Yorku, në Itali, e deri në Francë.

Mesazhi kryesor i fushatës së re është se çdo filxhan kafeje është një ftesë për të zbuluar diçka të re, transmeton albinfo.

Në një moment të spotit, Dua Lipa me humor “ia merr” sloganin e famshëm të George Clooney-t: “What else?”, i cili për vite me radhë ishte sinonim i reklamave të Nespresso. Megjithatë, Clooney mbetet ende pjesë e markës dhe shfaqet gjithashtu në reklamë me një paraqitje të shkurtër si mysafir.

Nespresso synon që përmes kësaj fushate të re dhe trendeve moderne të kafesë, të tërheqë sidomos audiencën më të re. Dua Lipa, e cila ka fituar tre çmime Grammy dhe është ndër artistet më të dëgjuara në botë, pritet të sjellë një imazh më bashkëkohor për markën.

Në këtë mënyrë, Nespresso po e rinovon strategjinë e saj të marketingut duke bashkuar një ikonë të vjetër si George Clooney me një yll të ri global si Dua Lipa.