Dua kritikon deklaratat e ministrave britanikë për migrantët shqiptarë: Më kanë lënduar

Këngëtarja kosovare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa ka kritikuar së fundmi mënyrën se si ministrat britanikë kanë folur për migrantët shqiptarë. Qasjen e tyre Dua Lipa e ka quajtur si “shkurtpamëse”. Ylli ndërkombëtar gjatë një interviste për Sunday Times ka thënë se mënyra se si qeveria ka diskutuar për shqiptarët e ka lënduar atë dhe…

ShowBiz

04/06/2023 10:56

Këngëtarja kosovare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa ka kritikuar së fundmi mënyrën se si ministrat britanikë kanë folur për migrantët shqiptarë. Qasjen e tyre Dua Lipa e ka quajtur si “shkurtpamëse”.

Ylli ndërkombëtar gjatë një interviste për Sunday Times ka thënë se mënyra se si qeveria ka diskutuar për shqiptarët e ka lënduar atë dhe ka bërë thirrje për më shumë dhembshuri.

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman ka veçuar “kriminelët shqiptarë” derisa ka potencuar se ka një “pushtim” të Anglisë.

Në një intervistë për Sunday Times, Lipa ka thënë se këto fjalë sigurisht që e lëndojnë.

“Sigurisht se më ka lënduar. Të gjitha ato fjalë që janë thënë për migrantë. Gjithmonë kam menduar se Londra është një bashkim kulturash. Se kjo është pjesë përbërëse e qytetit. Kështu që, kur dëgjon që Qeveria flet për shqiptarët në atë mënyrë të dhemb. Është shkurtpamëse dhe mendjeshkurtër, por është mënyra se si mendojnë njerëzit. Pavarësisht se si ne përpiqemi të ndryshojmë retorikën, gjithmonë do të ketë nga ata që mendojnë, ‘migrantët po vijnë në shtetin tonë dhe po na marrin vendet e punës”, ka thënë ajo.

Lipa ka shtuar se të gjithë njerëzit që kanë shkuar në Britani të Madhe nga vendet e tjera është dashur të punojnë shumë për të fituar para, përcjell KosovaPress

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar deklaratat e ministrave britanikë e “veçanërisht” të Braverman.

Gjatë një takimi me Rishi Sunak në muajin mars, Rama ka përmendur Dua Lipën si një shembull pozitiv që shqiptarët i sjellin Britanisë.